Saturday, November 23, 2024
HomeTop LajmetU dënua për sulm seksual, Baliq thotë se babai i prokurorit ia...

U dënua për sulm seksual, Baliq thotë se babai i prokurorit ia kërkoi 50 mijë euro

Pak orë pasi e ka kuptuar se është shpallur fajtor për sulm seksual dhe është dënuar me dy vite burgim, Numan Baliq, ka filluar të lëshojë akuza në drejtim të prokurorit, Arben Hoti dhe babit të tij, Muharremit.

Baliq pretendon se Muharrem Hoti, babai i Prokurorit, ia ka kërkuar nga miqtë e tij  50 mijë euro në këmbim të lirimit në kohën sa ishte në paraburgim.

Mirëpo, avokati Muharrem Hoti dhe djali i tij, prokurori Arben Hoti, kanë kërkuar nga Baliq që nëse posedon fakte për pretendimet e tij t’i deponojë në organet e hetuesisë.

Madje, babai i prokurorit e ka lënë të hapur mundësinë e padisë për shpifje ndaj të dënuarin të sotëm për sulm seksual.

Megjithëkëtë, ish-Ministri i Shëndetësisë nuk ka ofruar provë për pretendimin e tij. Ka thënë se miqtë e tij tek tash do ta denoncojnë rastin në Polici e Prokurori.

Sipas pretendimeve të Baliqit, gjatë kohës sa ishte në paraburgim, babai i prokurorit Arben Hotit, Muharrem Hoti, ka kërkuar shumën prej 50 mijë euro përmes disa miqve për t’u liruar nga paraburgimi.

Baliq nuk ka treguar emrat e miqve të tij dhe as vendin se ku ka ndodhur saktësisht një kërkesë e tillë.

“Ata kanë shku te Muharrem Hoti, babi i prokurorit dhe ai ka thon qartë kërkon 50 mijë euro për njerëz në Prishtinë, ka thënë për ata nalt në Prishtinë edhe për djalin po ashtu një pjesë, që ata i ndajnë”, ka thënë Baliq.Në anën tjetër, avokati Muharrem Hoti ka thënë se dëshiron ballafaqim derisa i ka rekomanduar Baliqit të bëjë padi nëse ka dëshmi për pohimet e tij se i ështē bërë e padrejtë në gjykimin e tij. “Tash unë a muj me akuzu këtë për shpifje”, është përgjigjur Muharrem Hoti duke bërë pyetje në drejtim të të dënuarit për sulm seksual.

Hoti i ka rekomanduar Baliqit të ndjekë rrugën e drejtësisë nëse i është bërë e padrejtë me vendimin e sotëm.

“S’kom koment po çfarë komenti, Numan Baliqi, ai është një fundërrinë, s’po merrna me personalitetin e tij se s’kam të drejtë por ai për veprën që është dyshu që ka dhënë vendimin nëse o liru o liru, nëse s’u liru. Ai le të padit nëse ju ka bo e padrejtë”, ka thënë Muharrem Hoti për “Betimi për Drejtësi”.

Muharrem Hoti ka thënë se as djali i tij, Arbeni, nuk ka lidhje në këto që ka thënë Baliq.

Edhe prokurori Arben Hoti ka deklaruar se këto pretendime të Baliqit po i dëgjon për herë të parë. Ka thënë se i njëjti ka mundur të bëjë dhe mund të bëjë edhe tash denoncim te organet e hetuesisë.

“Jo. për besë unë prej juve e niva këto”, ka thënë Hoti.

“Po, ai krejt çka ka pas ose krejt çka ka, organet janë, ka mujt mi paraqit edhe atëherë kur pretendon ai që ka ndodh. Nuk kam çka diskutoj për këtë çështje….”, ka thënë prokurori Arben Hoti për “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, Numan Baliq nuk ka treguar emrat e miqve të tij për të cilët pretendon se ishin dëshmitarë kur babai i prokurorit i kërkoi 50 mijë euro. Ka thënë se tek tash do ta denoncojnë rastin në organet e hetuesisë.

I pyetur nëse ka incizime apo prova tjera për këtë rast, Baliq  ka thënë se kanë qenë dy apo tre njerëz që mund të dëshmojnë kërkesën që t’i japë 50 mijë euro në këmbim të lirimit.

“Janë miq që edhe atë kohë kanë dashur, unë kam qenë në paraburgim dhe ata nuk kanë dashur me shku në polici dhe prokurori, shpresoj ishalla tani do të mobilizojmë komunitetin, do ta sqarojmë të gjitha edhe do të shkojmë në prokurori, edhe do të shkojnë të lajmërojnë tani rastin”, ka thënë Numan Baliq.

Ai ka thënë se mendon se kundërshtarët politik po hakmerren ndaj tij.

Ndërsa, pasi është pyetur pse atëherë kur ka qenë në paraburgim nuk është denoncuar ky rast, i njëjti është përgjigjur se personat nga të cilat janë kërkuar paratë kanë pasur frikë të shkojnë në polici dhe prokurori.

Kurse, kur është pyetur se a i kanë kërkuar para vëllait të tij apo familjarëve, ai ka thënë se bëhet fjalë për miq dhe familjarë.

“Janë miq dhe familjarë, në këtë moment kaq mund t’ju shtoj ma shumë masdite ose nesër në mëngjes”, ka thënë ai, duke shtuar se do të lajmërojë për emrat e njerëzve që do të shkojnë në polici dhe prokurori.

Ndryshe, sot ish-ministri i Shëndetësisë Numan Baliq, është shpallur fajtor për veprën penale të sulmit seksual.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Shaqë Curri, Baliq është dënuar me dy vite burgim. Në këtë dënim, Baliqit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ndaj Baliqit u shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit të mjekut në periudhë prej dy viteve.

Ai u obligua që për shpenzime procedurale të paguajë 50 euro, kurse për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro.

E dëmtuara u udhëzua në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Sipas aktakuzës të ngritur më 29 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Numan Baliq akuzohet se me 12 gusht 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësorë duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, përderisa e dëmtuara, në natën kritike kishte qenë duke e shoqëruar fëmijën e saj 6 muajsh, të hospitalizuar në repartin e ortopedisë në spitalin e lartcekur.

Përveç këtij rasti, Baliq  edhe më herët kishte qenë i akuzuar për veprën penale të ngacmimit, ku për këtë vepër ishte liruar nga akuza, mirëpo Gjykata Supreme kishte aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit.

Sipas Supremes, Gjykata e Pejës dhe Apelit sikur ta zbatonin ligjin penal në mënyrë të drejtë, i akuzuari Baliq do duhej shpallej fajtor për veprën për të cilën akuzohej.

Prokuroria Themelore në Pejë, më 31 janar 2019, pretendonte se i pandehuri Numan Baliq, në vitin 2018 kishte kryer veprën penale duke e ngacmuar të dëmtuarën S.M.

Vendimin për lirim e të pandehurit në Gjykatën e Pejës ishte marrë nga gjykatësi Sejdi Blakaj, vendimin e këtij të fundit, e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit me trupin gjykues të kryesuar nga gjykatësi, Hashim Çollaku, Ferit Osmani dhe Shqipe Qerimi.

Mirëpo kolegji i Supremes i kryesuar nga Mejrema Memaj dhe anëtarët Nesrin Lushta dhe Rasim Rasimi kanë konfirmuar se kanë ekzistuar prova të mjaftueshme të cilat kanë vërtetuar faktet relevante të veprës penale, që i pandehuri Baliq të shpallet fajtor nga Gjykata e Pejës dhe Apelit.

Gjykata Supreme kishte thënë se Gjykata e Pejës e kishte marrë për bazë vetëm një pjesë të dispozitës së veprës penale të ngacmimit, duke arsyetuar se i pandehuri Baliq nuk kishte pasur qëllim ta lëndojë, frikësojë apo vrasjes.

Një konstatim i tillë të Gjykatës i Pejës, Supremja kishte thënë se nuk është analizuar në mënyrë të plotë vepra penale e ngacmimit, sepse kjo vepër kryhet edhe pa shkaktimin e lëndimit apo frikës.

Më 25 korrik 2019, Gjykata Themelore në Pejë e kishte liruar nga akuza për ngacmim ish-ministrin e Shëndetësisë dhe ish-zëvendësministër në Qeverinë Haradinaj, Numan Baliq.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 31 janar 2019, Numan Baliq akuzohej se nga muaji gusht i vitit 2018 ishte përfshirë në vëmendje të vazhdueshme dhe të padëshirueshme, me qëllim të ngacmimit dhe të frikësimit të dëmtuarës S.M.

Sipas aktakuzës, kur e dëmtuara S.M kishte filluar kryerjen e praktikës në Spitalin Regjional në Pejë, edhe pse e njëjta e kishte refuzuar në vazhdimësi, i pandehuri i kishte shkruar në numrin e saj në “Viber” me përmbajtje ngacmuese.

Gjithashtu, Baliq sipas aktakuzës së ngritur me 12 mars 2019 ishte akuzuar për kanosje, e ky rast me 7 prill 2021 ishte referuar në procedurë të ndërmjetësimit

Sipas aktakuzës, Numan Baliq  me 20 shtator 2018, rreth orës 21:45 minuta, në fshatin Vitomericë të Komunës së Pejës, seriozisht e ka kanosur të dëmtuarin Avdullah Gjesheviq më fjalë dhe gjeste se do t’i shkaktojnë ndonjë të keqe, me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments