Shifrat tregojnë se pandemia Covid-19 po lihet pas, dhe lëvizja e lirë po kthehet në fazën normale, të ngjashme me atë të vitit 2019.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia ishte në kulmin e vet dhe lëvizjet vijonin të ishin të kufizuara, hyrjet e të huajve në vend janë rritur me 42 për qind.
Rritja është ndikuar nga shtimi i ndjeshëm i hyrjeve nga të gjitha shtetet, me përjashtim të Kosovës, që ra me gati 14 për qind. Hyrjet nga Greqia u gjashtëfishuan, teksa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin pothuajse të paralizuara. Shtetasit nga Italia pothuajse u trefishuan, nga Spanja u pesëfishuan, nga Anglia u gjashtëfishuan.
Pjesa më e madhe e vizitorëve kanë ardhur nga rajoni, fluks të shtuar ka pasur nga Britania e Madhe, ndërsa polakët janë rikthyer si tre vjet më parë.
Pjesa më e madhe e vizitave në muajin prill ishin për qëllime turizmi.
Në krahasim me vitin e kaluar, janë shtuar hyrjet nga aeroporti, ndërsa rrugët tokësore dhe detare kanë pasur të një fluks të ngjashëm vizitorësh.