Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka ofruar përkrahje kryeministrit hungarez, Viktor Orban, para zgjedhjeve parlamentare në Hungari, duke e përshkruar politikanin nacionalist si “udhëheqës të fuqishëm”.
Përmes një deklarate të publikuar të hënën, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë shkroi se udhëheqësi hungarez e ka përkrahjen e tij të plotë në zgjedhjet e planifikuara për muajin prill, shkruan Free Europe
Në deklaratën e Trumpit thuhet se Orbani “ka bërë punë të fuqishme e të mrekullueshme për ta mbrojtur Hungarinë, duke e ndalur imigrimin e paligjshëm, duke krijuar vende pune e tregti dhe duhet të lejohet që t’i vazhdojë këto në zgjedhjet e ardhshme”.
Është mjaft e pazakontë që ish-presidentët ose presidentët aktualë të Shteteve të Bashkuara publikisht të përkrahin kandidatë në zgjedhjet e vendeve të tjera.
Kritikët e Orbanit thonë se partia e tij në pushtet i ka çmontuar institucionet demokratike në Hungari si dhe e ka dëmtuar shumë pavarësinë e organeve të drejtësisë e i ka vënë nën kontroll mediet.
Duket se Trumpi thjesht po ia kthen një nder Orbanit. Në vitin 2016, kryeministri hungarez ishte udhëheqësi i parë i një vendi të Bashkimit Evropian që e kishte përkrahur Trumpin para zgjedhjeve presidenciale në ShBA. Në vitin 2019, Trumpi e kishte pritur Orbanin në Shtëpinë e Bardhë.