Grupi Parlamentar i LDK-së ka dhënë tri propozime për arsimin në kohë të pandemisë.
Kështu ka bërë të ditur anëtari i kësaj partie, njëherësh ish-kryeministri i vendit Avdullah Hoti.
Sipas LDK-së, nga e hëna mësimi në shkolla duhet të kthehet me orar të plotë, të përgatitet plani për organizimin e orëve mësimore shtesë gjatë verës, si dhe deri më 1 shtator të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit.
“Grupi Parlamentar i LDK-së në debatin në Kuvend lidhur me arsimin gjatë pandemisë propozon që: 1. Pas marrjes së opinionit të IKSHP-së, nga e hëna mësimi në shkolla të kthehet me orar të plotë dhe të rregullt. 2. Të përgatitet plani për organizimin e orëve mësimore shtesë gjatë verës, duke u bazuar në një plan për mësim intensiv të natyrës së shkollave verore, që duhet të koncentrohet në lëndët kryesore. 3. Deri më 1 shtator të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit, në të gjitha nivelet, duke përfshirë institucionet publike dhe private, në mënyrë që të jemi të përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor 2021-2022”, ka shkruar Hoti në Facebook.