Me fitoren ndaj Rayo Vallecanos të hënën dhe pas gabimeve të Real Madridit dhe Atletico Madridit në fundjavën e kaluar, Barcelona u kthye në vendin e parë në tabelën e kampionatit spanjoll.
Barça është lidere me 51 pikë.
51 pikë i ka edhe Real Madridi në pozitën e dytë, kurse Atletico ka një pikë më pak në vendin e tretë.
Gara për titull vazhdon të jetë e fortë, ndërsa për të tri skuadrat pikët janë me shumë rëndësi .
Gjiganti katalonjas të shtunën nga ora 21:00 do të luajë në udhëtim te Las Palmasi.
Barça në 12 ndeshjet e fundit në të gjitha garat ka dhjetë fitore dhe dy barazime.
Te Las Palmasi luan sulmuesi Adnan Januzaj.
Las Palmasi ka 23 pikë në pozitën e 17-të.
Në ndeshjen tjetër të xhiros së 25-të, të shtunën nga ora 18:30 luan Atletico si mysafir i Valencias.
Valencia është në pozitën e 18-të me 23 pikë. Po lufton për mbetje në ligë.
Ndërkohë Reali të dielën nga ora 16:15 e pret Gironan.
“Los Blancos” në tri ndeshjet e fundit kanë pasur shumë pakënaqësi në referim.
Girona, që edicionin e kaluar shkaktoi befasi, renditet në pozitën e dhjetë me 31 pikë.
Xhiroja e 25-të e La Ligas mbyllet të hënën me ndeshjen që luhet nga ora 21:00 ndërmjet Sevillas dhe Mallorcas. Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, në dy ndeshjet e fundit për Mallorcan ka shënuar tri gola.