Ka arritur në 14 numri i viktimave në Tetovë nga zjarri që ka përfshirë spitalin modular për trajtimin e personave të sëmurë me sëmundjen COVID-19, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.
Incidenti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 21:00.
“Në momentin e shpërthimit të zjarrit kishte gjithsej 26 pacientë në qendrën COVID-19; 12 të tjerët po trajtohen në spitalin e Tetovës dhe janë jashtë rrezikut. Asnjë punonjës shëndetësor nuk u lëndua rëndë, po ka disa me lëndime të lehta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Paraprakisht, kjo është bërë e ditur nga Prokuroria Publike e Shkupit, e cila në bashkëpunim me Prokurorinë Publike të Tetovës kanë kryer gjatë natës hetime në vendin e ngjarjes.
Për shkak të lëndimeve të rënda, disa viktima do t’u nënshtrohen analizave të ADN-së.
“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit. Prokurorët kanë lëshuar urdhër për identifikimin e trupave të 14 personave të vdekur nga zjarri. Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Zjarri besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.
Ekipet e zjarrfikësve kanë shkuar në vendin e ngjarjes pesë minuta pas shpërthimit të fuqishëm.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka thënë të enjten se institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes, por pa dhënë detaje mbi shkaqet e kësaj tragjedie.
“Është fatkeqësia më e madhe, e cila ka prekur qytetin tonë. Është e dhimbshme dhe ne të gjithë mund të flasim vetëm me dhimbje… Unë jam në kontakt me të gjitha autoritetet që janë të kyçura në procesin e hulumtimit dhe procesin e zbardhjes së rastit. Çdo informatë që e marr në mënyrë të verifikuar, të njëjtën do t’ju komunikoj me qëllim që të gjithë të jeni të informuar”, ka deklaruar Arifi.
E pyetur nëse shpërthimi ka lidhshmëri me një incident të para dy javëve, kur ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit në këtë spital modular, Arifi ka thënë se hetimet do të tregojnë shkaqet e incidentit.
Ky spital ka nisur të ndërtohet në fillim të vitit me vonesa të shumta, ndërsa nga mesi i prillit, Drejtoria e Spitalit të Tetovës ka ngritur shqetësimet mbi disa lëshime nga firma ndërtuese, nga e cila ka kërkuar mënjanimin e tyre, por ende nuk dihet nëse ato janë mënjanuar.
Në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 19 spitale modulare dhe për ndërtimin e tyre, janë shpenzuar 3.6 milionë euro. Të gjitha ato janë ndërtuar nga kompania “Brako”, që është në pronësi të ish-zëvendëskryeministrit maqedonas, Koço Angjushev.
Një deputet opozitar maqedonas, Vladimir Gorçev ka kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Zoran Zaev dhe ministri Venko Filipçe, pikërisht lidhur me cilësinë dhe siç ka thënë ai interesat biznesore gjatë ndërtimit të tyre.
“Spitali i përkohshëm COVID në Tetovë u ndërtua shpejt, me interesa biznesi. Spitali modular në Tetovë u ndërtua me nxitim, me interesa biznesi. E trishtuar dhe e trishtuar. prishja e sistemit. Zaev dhe Filipçe, dorëheqje dhe përgjegjësi ”, tha Gorçev.
Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur tri ditë zie për nder të viktimave. Paraprakisht edhe Këshilli Komunal i Tetovës ka shpallur tri ditë zie në këtë qytet, ndërsa do të ndihmojë financiarisht të gjitha familjet e viktimave për të mbuluar shpenzimet e varrimit.
Në Tetovë, të mërkurën deri në mesnatë kanë qëndruar edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, dhe shumë anëtarë tjerë të Qeverisë, të cilët kanë marrë pjesë në një mbledhje të shtabit të krizës.
“Tragjedi e madhe ndodhi në qendrën COVID-19 në Tetovë. Zjarri është shuar, por janë shuar edhe shumë jetë njerëzish. Shkaqet e zjarrit do të përcaktohen, për këtë autoritetet gjyqësore janë në terren. Kjo është një ngjarje vërtet tragjike dhe mund t’ju siguroj se i gjithë kreu shtetëror është i përkushtuar për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate”, ka shkruar kryeministri Zaev në rrjetin social Facebook.
Lidhur me ngjarjen kanë reaguar edhe partitë opozitare.
VMRO DPMNE-ja ka shprehur keqardhje për incidentin, por ka kërkuar edhe përgjegjësi nga institucionet.
“Institucionet duhet të hetojnë plotësisht shkaktarët e tragjedisë dhe të përcaktojnë përgjegjësinë, e cila nuk duhet të mungojë. Duke kuptuar plotësisht revoltën e qytetarëve dhe njerëzve të Tetovës, i bëjmë apel ministrit [të Shëndetësisë] Venko Filipçe dhe kryeministrit Zoran Zaev që, në këto momente të vështira, të mos fshihen nga publiku dhe të dalin me të dhëna dhe vlerësime të sakta të situatës”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, në një postim në Facebook ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë, duke e fajësuar për këtë tragjedi.
Maqedonia e Veriut kërkon ndihmën e BE-së dhe NATO-së për shpërthimin
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të enjten ka kërkuar ndihmë prej BE-së dhe NATO-s, për hetimin e zjarrit.
Zëvendëskryeministri Artan Grubi, tha se vendi ka nevojë për ndihmë të ekspertëve “për një hetim sa më të shpejtë dhe më të thellë, që të mos lihet asnjë fije dyshimi apo të zbardhet gjithçka lidhur me këtë rast”.
Ai u prononcua edhe për vërejtjet që ishin paraqitur nga drejtuesit e spitalit të Tetovës, qysh në muajin prill, për lëshime gjatë ndërtimit të këtij spitali.
Por, zëvendëskryeministri Grubi tha se në mbledhjen e qeverisë, është konstatuar se spitali ishte ngritur bazuar në standardet e nevojshme.
“Ky qëndrim u shpalos sot në mbledhjen e qeverisë nga Ministria e Shëndetësisë. Drejtori ka dhënë sqarimet e duhura rreth vërejtjeve të tij rreth spitalit modular në Tetovë. Bëhet fjalë për çështje teknike, këtë e tha drejtori dhe e konfirmoi edhe Ministri i Shëndetësisë, për vërejtjet në muajin prill. Ministria tashmë ka dalë me qëndrimin se Qendra modulare ka qenë e ndërtuar me të gjitha standardet e nevojshme”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Artan Grubi.
Ngushëllime nga rajoni
Maqedonia e Veriut, ka pranuar ngushëllime nga liderë të shumtë rajonalë, lidhur me tragjedinë në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën të paktën 14 persona që po trajtoheshin nga koronavirusi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjet, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi, për viktimat nga zjarri në Tetovë.
“E prekur thellësisht nga aksidenti tragjik në spitalin COVID-19 të Tetovës, iu përcjell ngushëllimet e mia familjeve që humbën më të dashurit, presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, si dhe kryetares së Tetovës, Teuta Arifi”, ka thënë Osmani.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime përmes telefonit kryetares Arifi si dhe ka treguar gatishmëri për ndihmë.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ka biseduar me ministren e Mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut, Radmilla Shekerinska, dhe se i ka ofruar të gjitha kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës për menaxhimin dhe tejkalimin e tragjedisë në spitalin modular të Tetovës.
“Duke u bashkuar me të gjithë ju në ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave të tragjedisë së mbrëmshme në spitalin Covid të Tetovës, si edhe në përqafimin vëllazëror për krejt komunitetin tetovar dhe mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut, ju uroj një ditë të qetë juve e gjithë familjeve tuaja”, ka shkruar kryeministri shqiptar, Edi Rama, në rrjetin social Facebook.
Serbia ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën në përballje me tragjedinë ndërsa shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.
“Qytetarët e Serbisë janë në dhimbje së bashku me njerëzit në Tetovë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë vëllazërore, pasi qytetarët e Maqedonisë nuk janë vetëm në këtë tragjedi”, ka theksuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në një bisedë telefonike me kryeministrin Zaev.
Anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës (BiH), Shefik Xhaferoviq, i ka shprehur ngushëllime Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
“E kam marrë me pikëllim të thellë lajmin për tragjedinë e tmerrshme në Tetovë, kur disa persona humbën jetën në spitalin e goditur nga zjarri. Ju lutemi pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta për ju, si dhe për familjet e viktimave dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ke theksuar Xhaferoviq. Telegrame të ngushëllimit, kanë dërguar edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq dhe Nënkryetarja e Këshillit të Ministrave dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq.
Lidhur me tragjedinë, telegram ngushëllimi ka dërguar edhe Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
“Dua që ju të dini se qytetarët malazezë në këto kohë të vështira janë së bashku popullin mik të Maqedonisë së Veriut. Ju lutem, që të përcillni ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe urimet më të mira për shërimin e shpejtë të të plagosurve”, thuhet në mesazhin e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq.