Trepça ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 94:72 (23:20, 24:17, 26:16, 21:19), në ndeshjen e mbetur të xhiros së gjashtë të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.
Pesë minutat e parë të ndeshjes ishin të barabartë deri tek rezultati 11:11, kur vendasit hyn në një seri prej 10:0, për 21:11, por më pas rikthehen prishtinasit, ndërsa çereku i parë përfundon 23:20.
Periudha e dytë ishte interesante, ku rezultati ishte i ngushtë dhe tre minuta nga fundi ishte 37:37, megjithatë vendasit hyn sërish në një seri prej 10:0, duke shkuar në pushim me epërsi 47:37.
Mitrovicasit nuk u ndalën në periodën e tretë, duke rritur edhe më shumë epërsinë, ku më e larta ishte 73:53, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash.
Në 10 minutat e fundit pamë një lojë, ku mitrovicasit ruajtën epërsinë e krijuar dhe prishtinasit që nuk arritën të bëjnë përmbysje dhe Trepça triumfoi me rezultat 94:72.
Te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi me 16 pikë e gjashtë kërcime, Taurus Cockfield Jr me 22 pikë dhe Samir Zekiqi me 17 pikë, kurse te Sigal Prishtina u dalluan Dachon Burke me 16 pikë, Wendell Mitchell dhe Don Polloshka me nga 14 pikë.
Trepça ka gjashtë fitore dhe dy humbje, kurse Sigal Prishtina katër fitore dhe katër humbje.