Monday, November 25, 2024
HomeLajmeTransformimi i Zajednicës, si po shkon Kurti drejt pranimit të Asociacionit

Transformimi i Zajednicës, si po shkon Kurti drejt pranimit të Asociacionit

Asociacioni i ka në bilancin e vet tetë vjet kundërshtim, protesta masive, tensione, gaz lotsjellës. Prej 2015-s, kur e kishte nënshkruar Isa Mustafa, formimi i Asociacionit kurrë nuk ka qenë më afër. Si për ironi, pikën e finishit, kjo marrëveshje duket se po e arrin me Kurtin Kryeministër. Duke e pranuar propozimin evropian, ai veçse është dakorduar për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit, ndonëse këtë herë e eviton e herë e mohon. Zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, të cilit s’i ka rënë ta kundërshtojë në rrugë dhe në Kuvend, flet më lehtë për formimin e Asociacionit.

Për Albin Kurtin si opozitar, Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të quhej ‘bashkësi’, se ai do të ndante Kosovën dhe nuk e pasqyronte kuptimin e asaj fjale. Prandaj, ai dhe Lëvizja Vetëvendojse do ta pagëzonin atë “të keqe” si ‘Zajednicë’.

Në këto tetë vjet, është bërë e është parë shumë rreth formimit të Asociacionit. Për LV-në nuk kishte rrugë të ndërmjetme. “Zajednica”, thjesht, s’duhej të bëhej dhe s’do të bëhej kurrsesi.

Si u tranformua “Zajednica” që “do të sillte Serbinë në Kosovë”, në një marrëveshje të cilën Kurti Kryeministër është dakorduar ta zbatojë?

Në vitin 2015, pas nënshkrimit të marrëveshjes për formimin e Asociacionit, opozita, që atëherë përbëhej nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma e kishin defunksionalizuar Kuvendin e Kosovës. Ata e kishin thënë se do ta pamundësonin miratimin e marrëveshjes për Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionit me Malin e Zi, qoftë edhe fizikisht.  Dhe, kështu kishin bërë.

Në Kuvend ishte hedhur disa herë gaz lotsjellës, duke sjell opozitarizëm të një niveli tjetër, të pa parë deri atëherë në Kosovë. Deputetët, të cilët, herë shiheshin e herë jo duke hedhur gaz lotsjellës, po kërkoheshin nga Policia. Në mesin e tyre Kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, që përfaqëson Kosovën në negociatat me Serbinë.

Pas pengesave që po i bëheshin prej dy muajsh punës në Kuvend, në nëntor të 2015-s, opozita vendosi të dalë edhe në rrugë për ta kundërshtuar formimin e Asociacionit, që për ta, nuk mund të kishte një opsion tjetër pos anulimit të asaj marrëveshjeje.

Protestat e 18 nëntorit ishin të dhunshme. Ishin arrestuar dhjetëra persona, ishin lënduar protestues dhe zyrtarë policorë, e ishin djegur dhe dëmtuar veturat zyrtare.

Në protestë ishte shfaqur edhe deputeti Albin Kurti, i cili ishte në kërkim nga Policia, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend. Aty ishte arrestuar ish-deputetja Donika Kadaj, që po ashtu ishte në arrati. Lëvizja Vetëvendosje, kishte treguar se banesa e Kurtit dhe ajo e Albulena Haxhiut janë bastisur nga Policia e Kosovës në mëngjes.

Ky ishte vetëm fillimi i kundërshtimit të “Zajednicës”. Pushtetarët s’kishin parë gjë akoma.

Dy ditë pas tensioneve në rrugët e Prishtinës, partitë opozitare, LVV, AAK, Nisma mbajtën një tubim, ku po thërrisnin qytetarët që masivisht të protestonin më 28 nëntor kundër Demarkacionit me Malin e Zi dhe formimit të Asociacionit.

Kryetari i atëhershëm i LV-së, Visar Ymeri, thoshte se pushteti po e ndante Kosovën, përmes Zajednicës, po e kthente Serbinë në Kosovë.

“Ne nuk mund të pranojmë dhe do të vazhdojmë deri në fund betejën kundër një pushteti që betonon ndarjen e Kosovës përmes ‘Zajednicës’, e rikthen Serbinë në Kosovë, dhe i formalizon dhe i veshë në uniformë strukturat ilegale e kriminale të saj”, kishte thënë Ymeri në atë tubim.

28 nëntori i 2015-s erdhi me protestën, ku Lëvizja Vetëvendosje thoshte se kishin marrë pjesë 35 mijë veta.

Në atë protestë u ngjit në skenë Kurti i arratisur, të cilin qytetarët e pritën me ovacione disaminutëshe.

Në pjesën e mbetur të 2015-s, opozita kishte organizuar tubime kundër Asociacionit dhe Demarkacionit në qytetet tjera më të mëdha të Kosovës.

Në vitin e ri kishin vazhduar, në përmasa edhe më të mëdha, tensionet për shkak të Asociacionit.

Pushteti i atëhershëm, i përbërë prej LDK-së dhe PDK-së i bënin thirrje opozitës për dialog. Opozita s’e shihte këtë si opsion.

Në fillim të janarit pati protesta të tjera në Prishtinë, në të cilat ishin përplasur protestuesit me Policinë. Ishin hedhur gurë dhe koktej molotovi në drejtim të kordonit të Policisë, që po e ruanin ndërtesën e Qeverisë.

Në atë protestë, sipas LV-së, kishin marrë pjesë 100 mijë veta. Policia jepte shifra disafish më të vogla.

Kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa thoshte se nëse ka gabime në marrëveshjen e nënshkruar për formimin e Asociacionit, do të korrigjoheshin, porse nuk frikësohej nga opozita dhe aksionet e saj.

““Në qoftë se ka pasur ndonjë gabim, ai korrigjohet dhe duhet të lihet mundësia që gabimi të korrigjohet prej ekspertëve dhe jo prej rrugës, sepse rruga nuk korrigjon, por krijon gabime, krijon rrënim e pakënaqësi. Nuk mund të jenë dy marrëveshje arsye që të ushtrohet dhunë mbi institucionet e Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Mustafa.

Protestat, gazi lotsjellës në Kuvend, ultimatumet ndaj Mustafës dhe Thaçit për ta dorëzuar pushtetin kishin vazhduar edhe në shkurt.

Përveç Asociacionit, LV-ja po kundërshtonte me të njëjtat mjete edhe zgjedhjen e Hashim Thaçit President.

 

Pas një gjysmëviti të tensionuar, skena politike kishte rënë përkohësisht në qetësi. Më 4 gusht u sulmua ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Nën dyshimet për kryerjen e sulmit që u cilësua si terrorist, policia arrestoi më 30 gusht gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në vitet që do të vinin, vëmendja do të zhvendosej te kundërshtimi i Demarkacionit, ratifikimin e së cilit e kishin kthyer në prioritet ndërkombëtarët.

Në ndërkohë kishte një vendim të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen që e kishte nënshkruar Kosova për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ishin gjetur shkelje kushtetuese në marrëveshje dhe përgjegjësit që e kishin nënshkruar këtë marrëveshje thoshin se do t’i merrnin parasysh rekomandimet e Kushtetueses për formimin e Asociacionit.

Asociacioni u rikthye në skenë paralelisht me marrjen e pushtetit nga Lëvizja Vetëvendosje, sidomos në mandatin e dytë me Kurtin Kryeministër.

Perëndimi ka shkuar duke e rritur presionin ndaj Qeverisë së re për formimin e Asociacionit. Vitin e fundit zbatimi i kësaj marrëveshjeje është kthyer në kërkesën më të rëndësishme, në top-prioritetin e ndërkombëtarëve.

Kryeministri Kurti e ka kundërshtuar formimin e Asociacionit, por nuk ka arritur t’i bind zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së se Asociacioni s’duhet bërë. Në diskursin e tij të ri ai përsërit kundërshtimin kundër një Asociacioni monoetnik.

Kurti la të kuptohej se ka lëvizur nga qëndrimi i tij, në shkurt, duke zbuluar në Kuvend gjashtë kushtet e tij në këmbim të themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Tanimë, për Lëvizjen Vetëvendosje, meqë ndërkombëtarët nuk po bindeshin, kishte një “rrugë të ndërmjetme”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti si kryeministër kishin hequr nga përdorimi shprehjen “Zajednicë” dhe po e quanin në termin e përgjithshëm “Asociacion”.

Kushtet e Kurtit mbijetuan rreth dy javë, deri kur Kryeministri Kurti, pas një rezistence dhe pakënaqësie të shprehur ndaj ndërkombëtarëve, megjithatë, pranoi propozimin evropian.

Me këtë propozim, i bie që palët janë pajtuar të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë, që i bie edhe atë për formimin e Asociacionit. Nuk është dhënë ndonjë sinjal se janë pranuar gjashtë kushtet e Kurtit, ose ndonjë prej tyre.

Përgjatë këtyre muajve, LDK-ja dhe PDK-ja, tani si opozitare, ia rikujtojnë Kurtit ndryshimin e qëndrimit rreth Asociacionit.

Edhe pas kthimit nga Brukseli, ku ishte dakorduar për propozimin evropian, Kurti tha në Kuvend, në një seancë të mesnatës se “Zajednica nuk kalon”.

Zyrtarët e LV-së dhe përkrahësit publikë të Kurtit besojnë se Kurti nuk është dakorduar për Asociacion.

Zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, i cili nuk ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në fillet e kundërshtimit me cdo kusht të Asociacionit, thotë se Kosova do t’i përmbahet zotimit dhe se ai do të formohet, pa kompetenca ekzekutive.

“Ka një harmoni mes qëndrimeve edhe të Bashkimit Evropian, edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, që Kosova nuk mund të krijojë asnjë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe mendoj se kjo është e qartë edhe për Vuçiqin”, ka thënë Bislimi.

“Në fakt ai është një obligim që është pranuar nga një ish-qeveri në të kaluarën, rrjedhimisht është negociuar. Ne për Asociacionin nuk negociojmë, ajo që ne po themi është që ka dakordim mes palës tonë dhe asaj ndërkombëtare dhe kjo është dokumentuar me një letër të Mogerinit në vitin 2015 që i ka dërguar institucioneve të Republikës së Kosovës, ku thuhet se nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka thënë ai.

Ndërkaq, me 18 mars ai takohet sërish me Vuçiqin – kësaj radhe në Ohër. Siç kanë paralajmëruar ndërmjetësit, tash çdo gjë që e përmban propozimi nuk ndryshohet dhe në takimet e ardhshme flitet vetëm se si do të zbatohet plani i pranuar.

Kurti pret që së paku Asociacioni të trajtohet, sipas renditjes në propozim, sepse është pika e fundit e tij, por Perëndimi vazhdojë ta mbajë të parin në listën e gjërave që duhen bërë mes Kosovës dhe Serbisë. /

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments