Qytetarët në Prishtinë dhe rrethinë janë duke u ankuar se autobusët e trafikut urban po mbingarkohen dhe kësisoj ata po detyrohen të qëndrojnë në këmbë.
Zyra për media e Trafikut Urban thekson se janë duke punuar për përmirësimin e shërbimeve, dhe se vitin e ardhshëm do t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj.
“Trafiku Urban ka 35 mijë udhëtarë në ditë, duke pasur parasysh këtë numër të qytetarëve që shfrytëzojnë shërbimet tona dhe numrin e autobusëve me të cilët operojmë është e natyrshme se autobusët kanë mbingarkesë. Ky sa është sukses i ndërmarrjes është edhe sfidë, dhe në kuadër të përmirësimit të shërbimeve për banorët e kryeqytetit ndërmarrjes vitin e ardhshëm do t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj”, thuhet në përgjigje.
Së fundmi edhe vrojtuesit e lagjes – Prishtinë, kanë publikuar disa fotografi ku shihen qytetarë të shumtë në autobusin e Trafikut Urban.
Po ashtu, vrojtuesit thonë se një qytetari i ka rënë të fikët, shkak i mbingarkesës.
“Nuk ka nevojë me bërë oferta për përdorimin e Trafikut Urban Prishtinë, përderisa s’ka infrastrukturë të mjaftueshme me i plotësu nevojat për qytetarët”, thuhet në reagimin e vrojtuesve.