Deputetja e LVV-së, Tinka Kurti ka shkruar se gjatë përleshjes fizike në Kuvend ia ka “sharë nënën” deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
“Mërgimi që e shau nënën time sot, i dhimben veç pronat e babës. Kosovën e ka dorëzu moti”, ka shkruar në Facebook ajo.
Paraditen e 13 korrikut, gjatë seancës fillestare kishte përleshje fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë Kusari-Lila. Ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kritike e vazhdueshme ndaj personave që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiqin.
Deputetët opozitarë nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të Qeverisë.
Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.