Transparency Internacional Defence & Security ka publikuar Indeksin e Integritetit të sektorit të Mbrojtjes (GDI), sipas të cilit Kosova ka shënuar 42 pikë nga 100 e që e bënë të radhitet në mesin e vendeve me rrezik të lartë të korrupsionit në këtë sektor.
Këto të dhëna i ka bërë publike Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Megjithatë, Diana Metushi Krasniqi nga KDI bëri të ditur se sipas këtij indeksi, Kosova qëndron pak më mirë sesa Mali i Zi, i cili qëndron me rrezikun më të lartë në sektorin e mbrojtjes, me 32 pikë. Ndërkohë që tregoi se vlerësimi është bërë në pesë fusha të rrezikut.
“Në bazë të 75 treguesve, të cilët janë marrë për bazë për matjen e këtij indeksi Kosova ka shënuar në total 42 pikë nga 100, që e bënë Kosovën të radhitet në rangun e lartë të korrupsionit apo të rrezikut për korrupsion në rajon. Sa i përket ndikimeve politike Kosova ka marrë 49 nga 100 pikët totale, sa i përket financave në sektorin e mbrojtjes Kosova ka 43 pikë nga 100 pikët, sa i përket menaxhimit të personelit të mbrojtjes, Kosova ka shënuar rezultat pak më të mirë, 56 pikë nga 100 pikët totale. Mirëpo qëndrojmë mjaftë ulët sa i përket preventivës apo masave kundër korrupsion në operacionet ushtarake në mungesë të politikave në adresimin e rrezikut, ndonëse Kosova ende nuk merr pjesë në operacion ndërkombëtar. Dhe, përfundimisht në prokurimin publik ka marrë 37 pikë nga 100 pikët totale”, tha ajo.
Dështimi për të korrigjuar këto çështje, sipas saj, mund të bëjë që shpresat e kosovarëve për një ushtri kombëtare profesionale të shuhen.
Metushi-Krasniqi tha se përmes menaxhimit të keq financiar dhe korrupsionit, mund të dëmtohen në mënyrë të pariparueshme ambiciet në rritje rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës.
“Sipas këtij indeksi, dështimi për të korrigjuar këto çështje mund të bëjë që shpresat e kosovarëve për një ushtri kombëtare profesionale të shuhen përmes menaxhimit të keq financiar dhe korrupsionit, i cili mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme ambiciet për rritjen rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës”, shtoi ajo.
Ajo rekomandoi Qeverinë e Kosovës që të marrë për bazë rekomandimet që dalin nga ky indeks, dhe të përkushtohet në përmirësimin e praktikave që do të parandalonin humbjen e parasë publike, integritetin ushtarak dhe anëtarësimin në NATO.
Sipas GDI, Kosova, duke qenë një lojtar i ri i sigurisë në rajon, ende po zhvillon aftësitë e saj mbrojtëse dhe rreziqet e korrupsionit në këtë sektor janë të larta. Përderisa Kosova ka një kornizë të fortë legjislative për mbrojtjen, mbetet një boshllëk i dukshëm në zbatim, i cili ka rezultuar në mbikëqyrje të dobët parlamentare, transparencë të dobët, procedura të fshehta të prokurimit dhe një mjedis të pasigurt për sinjalizuesit.
Sipas Indeksit të Integritetit në sektorin e Mbrojtjes (GDI) të realizuar nga Transparency International Defense and Security, Maqedonia e Veriut ka dalë më së miri nga vendet e rajonit, derisa Zelanda e Re prinë në nivel global.