Edward P. Joseph, profesori i Universitetit Johns Hopkins, ka theksuar asimetrinë në obligimet sipas marrëveshjes themelore mes Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar se përderisa Kosovës i kërkohet të ndërmarrë hapa proaktivë drejt themelimit të Asociacionit, përgjegjësitë e Serbisë nuk kanë një paralele përkatëse.
Konkretisht, ai vë në dukje se Serbia është vetëm e obliguar të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Detyrimet e secilës palë “nuk janë paralele”. “Është Kosova ajo që i kërkohet të bëjë hapin afirmativ për formimin e Asociacionit… Nuk ka asnjë hap paralel, për shembull, të një asociacioni brenda Serbisë për Shqipërinë”, deklaroi Joseph për Radion Evropa e Lirë.
Ai më tej pohoi se ndonëse Serbia mbetet e obliguar të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, e kundërta e asaj që e obligon marrëveshja mbetet prioriteti numër një i politikës së jashtme të Serbisë.
Në këtë kontekst, sipas profesorit, ShBA-ja dhe BE-ja duhet të kenë një plan “për ta avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO para së gjithash, pavarësisht se çfarë bën Serbia”.