Avokati i ish-presidentit Thaçi në Hagë, Gregory Keohe, ka kërkuar lirimin me kusht të klientit të tij nga paraburgimi në Hagë.
Keohe në konkluzionet e tij ka kërkuar që të mbahet një seancë dëgjimore ku do të shtjellohen dy pikat kyçe të kërkesës, që përfshijnë shqyrtimin e garancës së dhënë nga Policia e Kosovës për lirimin e Thaçit, si dhe garancës së dy shteteve që garantuan në qershor të këtij viti për mbrojtjen në liri të ish-presidentit të Kosovës.
Avokati Keohe, bën të ditur se dy shtetet të cilat dhanë garancë për lirimin e Thaçit nga paraburgimi janë shtete anëtare të NATO-s, njëra prej të cilave është shtet kontributdhënës në Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.
Sipas avokatit Keohe, Prokurori i Specializuar është vonuar tej mase në zbulimin e informacionit, andaj gjykimi sipas tij s’ka gjasa të nis deri në vjeshtën e vitit 2022. Në rrethana të tilla, Keohe thotë se qëndrimi në paraburgim i Thaçit deri në atë periudhë do të ishte “totalisht” i paarsyeshëm.
Avokati i ish-presidentit nuk e ka lënë pa përmendur intervistën e kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilova, ku shprehej se të akuzuarit nuk mund të qëndrojnë më shumë se një vit në paraburgim, përveç në rrethana të jashtëzakonshme.
“Intervistuesi: Pra, kushdo që akuzohet apo arrestohet nuk mund të qëndrojë në paraburgim më shumë se një vit? Trendafilova: Po. Po. Ai duhet të rishikohet dhe pas një rishikimi shumë të plotë mund të zgjatet në rrethana të jashtëzakonshme. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që çdo të dytin muaj të rishikohet paraburgimi. Kjo është në bazë të ligjit. Gjithashtu, nëse ka një vonesë në zhvillimin e procedurës e cila në fakt cenon një të drejtë tjetër themelore të një personi për t’u gjykuar pa vonesë të panevojshme në kohën e duhur, atëherë Dhoma, nëse kjo vonesë është për shkak të ndonjë performance të keqe në emër të Prokurorit, mund të lirojë personin dhe madje të pushojë procedurën dhe ky është një tjetër propozim shumë i rëndësishëm”, ka thënë Keohe në parashtresat e tij.
Detaje në parashtresat e Keohes janë dhënë edhe për garancën e ofruar nga Policia e Kosovës për lirimin nga paraburgimi dhe monitorimin e kushteve të lirimit.
Aty është bërë e ditur se Policia e ka dërguar raportin e saj të detajuar në Speciale më 15 nëntor.
I njëjti, shkaku i informacioneve sensitive mbi aftësitë operacionale të policisë nuk i është dorëzuar direkt mbrojtjes.
“PK-ja nuk ia ka ofruar mbrojtjes dokumentin e lartpërmendur drejtpërdrejt, sepse kjo e fundit përmbante informacione të ndjeshme operacionale. Rrjedhimisht, Mbrojtja ka marrë Vlerësimin e Sigurisë së PK-së të rezidencës së z. Thaçi përmes CMU-së së DSK-së, në gjuhën shqipe. Duke qenë se Mbrojtja nuk ka qenë në gjendje të përvetësojë plotësisht Vlerësimin e Sigurisë së PK-së deri në momentin e dorëzimit të kërkesës aktuale, Mbrojtja kërkon që të urdhërohet një seancë dëgjimore me qëllim që t’i mundësohet mbrojtjes të adresojë përmbajtjen e saj. Mbrojtja rezervon të drejtën për të paraqitur më tej paraqitjet pas marrjes së përkthimit të saj në anglisht”, ka thënë Keohe.
Një argument shumë i rëndësishëm i kërkesës së Keohes është fakti se Thaçi ka pranuar që të heq dorë nga çdo e drejtë kushtetuese e tij, nëse kjo kërkohet nga gjyqtari paraprak karshi kushteve të vëna për lirim nga arrest shtëpiak.
“Në çdo rast, nëse kërkohet, z. Thaçi konfirmon se është i gatshëm të pranojë arrest shtëpiak në të gjitha kushtet e arsyeshme që do të konsiderohen të nevojshme nga gjyqtari paraprak, duke përfshirë edhe përtej kushteve standarde të arrestit shtëpiak, për të plotësuar çdo kërkesë apo shqetësim të PSP-së dhe gjyqtari paraprak. Në këtë drejtim, ai është i gatshëm të heqë dorë nga çdo e drejtë kushtetuese që mund të cenohet nga kushtet e vendosura nga gjykatësi paraprak”, ka thënë Keohe.
Këto dhe argumente të tjera janë kundërshtuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, mirëpo që një vendim pritet të nxirret në ditët në vijim.
Varësisht nga vendimi, mbrojtja apo prokuroria do ta dorëzojnë në apel përmbajtjen e tij, teksa më pas i njëjti do të vendos në bazë të rrethanave faktike.