Kolektivi për Veprim dhe Mendim Feminist do të organizojë protestë të premten në orën 10:30, para Gjykatës Themelore të Ferizajt. Atë ditë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, në gusht të 2021-s.
Përmes kësaj proteste, Kolektivi do të kërkojë drejtësi për 18-vjecarën e vrarë dhe dënim maksimal për vrasësit.
Njoftimi i plotë:
THIRRJE PËR PROTESTË: DREJTËSI PËR MARIGONA OSMANIN
Këtë të premte mbahet seanca përfundimtare ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit. Për t’u siguruar që kërkesa jonë për drejtësi të jehojë edhe të premtën para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ne mblidhemi nga ora 10:30 para dyerve të Gjykatës për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit.
Dardan Krivaqa e vrau në mënyrë makabre Marigonën në gusht të vitit 2021. Siç e detajon aktakuza ndaj Krivaqës dhe Sejdiut “I pandehuri Dardan Krivaça, me 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në Ferizaj, pa pëlqim e saj e detyron të ndjerën Marigona Osmani për të kryer marrëdhënie seksual, e cila përcillet me tortura, në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e dërgon në banjo, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup” […] “Nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejtë nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”.
Dhuna mizore të cilën e ushtroi Krivaqa me ndihmën e Sejdiut ndaj Marigonës deri kur e vrau dhe humbja e saj na e bën të pamundur të harrojmë. Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot nëse shteti do ta mbronte me kohë atë. Të indinjuar/a e me shumë dhimbje, ne mblidhemi këtë të premte dhe thërrasim në drejtësi për Marigonën.
*Nisja nga Prishtina bëhet në mënyrë të organizuar në orën 9:30 nga pompa e benzinës te rrethi i flamurit. Nëse dëshironi të na bashkangjiteni, na shkruani në mesazh.