Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare, vendosi që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 7 prill 2022, në orën 10:00.
“Seanca do të fillojë me pikat e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, për të vijuar me shqyrtimin e parë të dy projektligjeve: Projektligjit nr. 08/L-136 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligjit nr.08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-139 për procedurën përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L-118.
Do të shqyrtohet po ashtu edhe Projektligji nr.08/L-128 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-114 për zyrtarët publikë.
Në rend të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2022 – 2026, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radha e komunitetit serb, si dhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarura të Mediave nga radhët e komunitetit shqiptar.
Ndërkaq të martën, më 12 prill 2022, Kuvendi, në një seancë të veçantë, do të debatojë për politikën e jashtme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit, transmeton Express.
Kryesia, në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi Planin Strategjik të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2022 –2025, si dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.
Kryesia po ashtu vendosi që, konform rekomandimit të Komisionit Ad-hoc, të shpallet konkursi për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.