Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të enjten se një takim në Munih mes zyrtarëve të lartë nga Moska, Kievi dhe Uashingtoni, është caktuar të mbahet të premten, më 14 shkurt.
“Nesër mbahet takimi në Munih. Rusia do të jetë atje me përfaqësuesit tanë. Ukraina është e ftuar, gjithashtu”, tha Trump për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë në prag të Konferencës së Sigurisë në Munih.
Ai nuk tregoi se cilët zyrtarë nga këto vende do të jenë pjesë e takimeve, por theksoi se “do të jenë zyrtarë të lartë nga Rusia, Ukraina dhe nga Shtetet e Bashkuara”, për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës gati trivjeçare.
Shtëpia e Bardhë nuk lëshoi komunikatë për takimin, por u bë e ditur më herët se në konferencën e Munihut do të marrin pjesë nënpresidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe i dërguari i Trumpit për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg.
Media ukrainase cituan një zëdhënës të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ta ketë mohuar se ishte planifikuar një takim me përfaqësues rusë.
“Nuk priten bisedime me rusët në Munih”, tha Dmytro Lytvyn, sipas një deklarate të cituar në media, shkruan REL.
Vance dhe Rubio do të takohen me Zelenskyn para hapjes së konferencës vjetore, e cila mbledh udhëheqës politikë, oficerë ushtarakë dhe diplomatë në qytetin gjerman. Nuk është e qartë nëse Rubio do të mbërrijë në kohë për një takim të hershëm, pasi avioni i tij ushtarak pësoi një problem mekanik 90 minuta pas nisjes dhe u detyrua të kthehej në Uashington, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
Para nisjes, Rubio tha se ai dhe Vance do të takoheshin me Zelensky, “dhe në një moment… do të duhet të angazhohemi edhe me homologët rusë”.
“Natyrisht, ne do të flasim me Ukrainën dhe me të gjithë aleatët dhe partnerët tanë në Evropë dhe në mbarë botën për këtë çështje”, tha Rubio në një intervistë për radio, më 13 shkurt.
Lytvyn theksoi se qëndrimi i Ukrainës mbetet i pandryshuar: Ukraina duhet të bisedojë fillimisht me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Evropa duhet të jetë pjesëmarrëse në “çdo bisedë serioze për hir të një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme”.
“Dhe, vetëm një qëndrim i përbashkët duhet të jetë në tryezë për bisedimet me rusët. Nuk takohemi me rusët në një tryezë boshe. Aktualisht nuk ka asgjë në tryezë”, tha Lytvyn.