Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaTahiri për Uran Ismailin: Nuk e mori mandatin, por fitoi zemrat e...

Tahiri për Uran Ismailin: Nuk e mori mandatin, por fitoi zemrat e qytetarëve të Prishtinës

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka komentuar rezultatin e bashkëpartiakut të tij Uran Ismailit, kandidat për kryetar të Prishtinës.

 

Tahiri përmes një postimi në Facebook është shprehur se Ismaili nuk e ka marrë mandatin, por ka fituar respektin dhe zemrat e qytetarëve të Prishtinës.

”Urani nuk e mori mandatin, por fitoi respektin, vlerësimin dhe zemrat e qytetarëve të Prishtinës, për t’i mbajtur ato të lidhura deri në fitoren e pashmangshme të së ardhmes. Atë çfarë ai ka arritur në këto zgjedhje në kryeqytet, është përmbushje, inkurajim dhe obligim për të vazhduar punën për Prishtinën dhe qytetarët e saj”, thuhet në postimin e Tahirit.

Tahiri ndër të tjera ka shtuar se është krenar me Ismailin.

“Me shembullin e tij, na ka dëshmuar të gjithëve se ku ka përkushtim e vullnet, nuk ka barrierë e hendek që s’kapërcehet. Shumë krenar me Uranin dhe vullnetin e tij të hekurt, për t’i dhënë kuptim të ri dimensionit të politikës për qytetarët dhe në shërbim të tyre pa dallim”, ka shkruar Tahiri.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, pas numërimit të 237 kutive të votimit nga 238 gjithsej, Ismaili renditet i treti me 21.61% apo 18.023 vota.

Ndryshe, në komunën e Prishtinës në balotazh do të shkojnë kandidati i LVV-së Arben Vitia dhe ai i LDK-së Përparim Rama.

Raundi i dytë i zgjedhjeve pritet të mbahet më 14 nëntor të këtij viti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments