Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se PDK para tri javësh ka bërë thirrje që të ndërpriten pushimet dhe të mblidhemi në seancë për të trajtuar çështjet që lidhen me menaxhimin e pandemisë, por fatkeqësisht kjo e mbajtura sot është e vonshme.
“E keni parë dhe keni qenë dëshmitarë të asaj çfarë kjo Qeveri s’ka qenë e gatshme të trajtohen çështje të rëndësishme qoftë edhe buxheti nëse duhet të ketë mjete shtesë për spitalet.Shihet keqmenaxhimi i madh dhe degradues, por kemi parë edhe mosgatishmërinë e mazhorancës për të mos diskutuar edhe me ne si opozitë.Muaji gusht ka qenë muaj i rëndë për vendin tonë, me vdekje të shumta me numër rekord të infektimeve e stërmubushje të spitaleve me pacientë dhe me jo menaxhim të duhur të pandemisë.Edhe ne si PDK në raport me pandeminë në raport me këtë situatë nuk mund të bëjmë opozitë sikur me çështjet e tjera sepse flasim direkt për shëndetin e qytetarëve dhe kemi kërkuar të bashkëpunojmë pavarësisht se jemi në opozitë ti japim përkrahje Qeverisë që të kemi sa më pak vdekje e të infektuar me COVID-19 , por fatkeqësisht s’kemi parë vullnet nga kjo qeveri”, tha Tahiri.
Ai theksoi gjithashtu se PDK-së nuk i është drejtuar asnjë kërkesë për shtyrje të zgjedhjeve, ne kemi diskutuar për ndërmarrje të masave që fushata të mos jetë ajo që mund të ndikojë në përkeqësimin e situatës. Pra kemi qenë të gatshëm të ulemi e të diskutojmë për shkurtimin e fushatës.
“Kurse deri më sot s’kemi pas asnjë kërkesë e rrjedhimisht s’mund të flas për diçka të tillë. Sot është një takim në pasdite dhe padyshim se PDK do të jetë pjesë e këtij takimi dhe do të shohim se në rast se do të kemi një kërkesë të tillë apo jo. Deri sot s’kemi marrë një kërkesë dhe vetë fakti që s’kemi marrë s’mund të flasë. Për ne mbetet të thuhet se presim që zgjedhjet të mbahen në afatin e deritashëm që ka qenë publik. Qëndrimin e PDK-së do ta shpreh kryetari i partisë pas takimit që do të zhvillohet”,tha ai.