Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se Kosova duhet të bëjë më shumë për t’i bindur 27 ministrat e Këshillit Evropian në lidhje me vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në Rubikon të Klan Kosovës ai u shpreh se vendimmarrja është në dorën e Këshillit Ministror, ndërsa disa shtete anëtare nuk janë ende të bindura, dhe se ajo çfarë duhet bërë është që udhëheqësit tanë shtetërorë të jenë më aktivë dhe të angazhohen me 27 Shtetet Anëtare, sepse siç tha, janë ata që i marrin vendimet.
Po ashtu, Szunyog tha se Kosova duhet fokusuar edhe në dy pika, që sipas tij janë shqetësuese:
“Njëra është sigurisht e lidhur me migrimin si dhe çështjet e lidhura me të, dhe e dyta është sundimi i ligjit, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
“Unë vërtet besoj që Kosova ka një rrjet të konsiderueshëm të ambasadave në gati të gjitha Shtetet Anëtare, si dhe ky rrjet besoj duhet të shfrytëzohet më shumë për ta promovuar Kosovën si vend me siguri e rend dhe që e lufton krimin”.
“Ambasadorët tuaj duhet të kenë me vete disa shifra, numra e statistika, pra argumente të mira të cilat besoj se ekzistojnë. Përndryshe, mendoj edhe që ata duhet të takohen më shpesh me ministrat e brendshëm sesa me ministrat e jashtëm. Kjo është e rëndësishme për të gjitha vendet e rajonit, pra t’i bindin ato vende, Shtetet Anëtare, që kjo është gjë që vlen të bëhet”.
“Këta 27 ministra të pajisen me argumente të mira se pse Kosova duhet të ketë liberalizim të vizave. Është çështje e ndjeshme dhe e rëndësishme, mund ta kuptoj, por duhet të punojmë së bashku, institucionet e BE-së, Kosova dhe shtetet anëtare për ta arritur”, u shpreh Szunyog.