Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog e ka cilësuar si historik dhe vërtetë të rëndësishëm vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët, i cili ka hyrë në fuqi nga sot.
Szunyog në një shkrim mbi sfidat e vendit, ka shkruar se liberalizimi i vizave është njohje e punës së palodhur që ka bërë vendi dhe një shenjë vlerësimi për shoqërinë.
“Pikë së pari, është njohje e punës së palodhur që ka bërë Kosova dhe shenjë vlerësimi për shoqërinë, e cila është aq mbështetëse për integrimin në BE”, shkroi Szunyog.
Ai shkruan se ky vendim është edhe “ftesë për ta eksploruar Kosovën. Ai iu thotë Kosovarëve se “ne duam t’ju njohim më mirë dhe duam që ju të na njihni më mirë”.
“Kosova dhe populli i saj na kanë mirëpritur për vite me radhë. Tani është radha jonë t’ju mirëpresim. Tani mund të eksploroni qytete të reja, të shkoni për vizitë te të afërmit dhe miqtë, të merrni pjesë në koncerte muzikore dhe lojëra futbolli, të lidheni me botën akademike, të mësoni gjuhë jashtë vendit, të lidheni me artistë, të merrni pjesë në panaire kulturore, konferenca dhe takime dhe më shumë. Me pak fjalë, ju do të jeni në gjendje të njihni, ndjeni, ta shijoni më mirë BE-në dhe të eksploroni diversitetin që na bashkon. Përdoreni këtë mundësi me mençuri, për zhvillimin tuaj personal, akademik dhe profesional. Udhëtimi pa viza synon të nxisë turizmin, të lehtësojë transaksionet e biznesit dhe të nxisë lidhjet arsimore dhe kulturore mes nesh. Ky vendim do të sjellë përfitime ekonomike, arsimore, sociale dhe kulturore për të dy palët: Kosovën dhe BE-në”, shkroi ai.
Szunyog foli për përshpejtimin e reformave që duhet t’i bëjë Kosova për të vazhduar më shpejt në rrugën për në BE, aty ku ai thotë se qartësisht është e ardhmja e Kosovës.
“Sapo kemi përfunduar Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Ky ishte samiti i katërt i këtij lloji për katër vjet. Kjo tregon dëshirën për t’i dhënë më shumë forcë dhe fuqi marrëdhënieve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti riafirmoi perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe e bëri të qartë se partnerët duhet t’i përshpejtojnëreformat. Natyrisht, këtu përfshihet edhe Kosova. Dhe më lejoni të jem i qartë: e ardhmja juaj është në BE”, shkruan Szunyog.