Opinionisti shqiptar Kastriot Myftaraj thotë se ka kryer një hulumtim për të gjetur se ku e ka kryer fakultetin ministri ynë i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Dhe, ai konkludon se Sveçla ka gënjyer në CV-në e tij prezantuar popullit.
“Gjithsesi unë pas hulumtimeve të mia mund të them me siguri të plotë sa vijon: Në periudhën nga viti 1990 deri në vitin 2021, Z. Xhelal Sveçla nuk ka diplomuar në Fakultetin e Stomatologjisë të Universitetit Publik të Tiranës.” – thotë z. Myftaraj, përcjell Periskopi.
Kjo e lë Kosovën me një ministër të brendshëm që ka shkruar të dhëna të rreme në CV-në e tij nëse një gjë e tillë është e vërtetë.
Myftaraj thotë se dikush mund ta ketë gënjyer ministrin Sveçla.
“Nuk përjashtohet mundësia që Z. Sveçla të jetë mashtruar nga dikush në Shqipëri duke marrë një diplomë nga një fakultet joekzistues stomatologjik i ndonjë prej universiteteve të tjera publike të Shqipërisë në Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Durrës.” – shkruan ai.
Shkrimi pa ndërhyrje i Myftarajt:
Emri i Ministrit të Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla nuk gjendet në regjistrin e të diplomuarve në Fakultetin e Stomatologjisë të Universitetit të Mjekësisë Tiranë.
Sapo përfundova një hulumtim të gjatë dhe të vështirë për diplomimin në Tiranë të Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, i cili në jetëshkrimin e vet zyrtar thotë fjalë për fjalë se “ka diplomuar për stomatologji në Universitetin e Tiranës”, por pa saktësuar kohën as të fillimit të studimeve as të përfundimit dhe diplomimit, as emrin e universitetit dhe të fakultetit.
Sveçla në CV e tij zyrtare thotë edhe se “Ka nisur studimet fillimisht në Prishtinë gjatë viteve 1990.”
Por edhe këtu nuk saktëson vitin se kur i ka nisur studimet. Z. Sveçla sigurisht e di kur bëhet fjalë për një dekadë, thuhet “vitet nëntëdhjetë” dhe jo “vitet 1990”. Por ai, kur ka shkruar CV-n e vet zyrtare ka qenë i përfshirë nga paniku i shkaktuar se mos padashje iu jepte të dhëna orientuese atyre që do të hulumtonin të shkuarën e tij.
Sveçla ka instinktin e oktapodit që kur ndjen rrezik përhap një lëng ngjyrosës në ujërat përreth tij për të fshehur praninë e tij.
Duke lexuar CV-n zyrtare të Ministrit Sveçla kuptohet se puna më e vështirë që ka bërë ai deri tani është të shkruajë CV-n e vet. Qartësisht, Z. Sveçla, apo mos duhet ta quajmë Dr. Sveçla, kur ka shkruar CV-n është gjendur në situatë më të vështirë se policët e ROSU në Kosovën Veriore, ndonëse këta burra nuk e meritojnë këtë krahasim sepse ministri me punën e tij për CV-n zyrtare duhet krahasuar me mafiozët serbë të Kosovës Veriore.
Sveçla me tekstin e CV zyrtare që ka shkruar do të fitonte duartrokitjet e çdo audience falsifikuesish të rangut të lartë. CV e tij zyrtare është një kryevepër e mashtrimit zyrtar.
Nëse dikush do të pyetej nga policët apo prokurorët për shkak se dyshohej për një krim dhe në këtë hetim ishte e nevojshme të saktësohej koha e shkollimit të tij, a do të ishte pranuar si përgjigje e mjaftueshme një e ngjashme me atë të Z. Sveçla?
Gjithsesi unë pas hulumtimeve të mia mund të them me siguri të plotë sa vijon:
Në periudhën nga viti 1990 deri në vitin 2021, Z. Xhelal Sveçla nuk ka diplomuar në Fakultetin e Stomatologjisë të Universitetit Publik të Tiranës.
Në këtë periudhë gjeta emrat e tre Xhelalëve të diplomuar, por asnjëri prej tyre nuk kishte mbiemrin “Sveçla”.
Madje gjeta emrat e dymbëdhjetë Albinëve, nga të cilët tre Albin K… por asnjë prej tyre nuk ishte Albin Kurti.
Me këtë dua të them se ironikisht më shumë mundësi kishte që në Tiranë të kishte diplomuar për stomatologji Albin Kurti, i cili nuk e ka mëtuar kurrë një gjë të tillë, sesa Xhelal Sveçla.
Nuk përjashtohet mundësia që Z. Sveçla të jetë mashtruar nga dikush në Shqipëri duke marrë një diplomë nga një fakultet joekzistues stomatologjik i ndonjë prej universiteteve të tjera publike të Shqipërisë në Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Durrës.
Në Tiranë diploma stomatologjike jep edhe Albanian University në Tiranë, në Fakultetin e Shkencave mjekësore, departamenti i Stomatologjisë që ka nisur të veprojë në 2004. Në këtë universitet nuk kam bërë ende kërkime.
Për një gjë jam i sigurt. Xhelal Sveçla është stomatolog aq sa mund të mëtoj edhe unë që të jem I tillë megjithëse e pohoj se njohuritë e mia stomatologjike janë mëse minimale dhe kufizohen në njohuritë që merr ai që ka qenë pacient në një klinikë stomatologjike.