Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se operacioni i sotëm nuk i është drejtuar asnjë nacionaliteti apo komuniteti që jeton në Kosovë. Ai i është drejtuar kriminelëve që janë identifikuar si kontrabandues të mallrave ilegale në territorin e Republikës së Kosovës.
Sveçla tha se aksioni i sotëm është i koordinuar me bashkëpunëtorët dhe ka qenë në shërbim të misionit të MPB-së për t’u kujdesur për sundim të ligjit dhe sigurinë publikë në Kosovë.
Ministri i Brendshëm tha se shumica e personave të kërkuar dhe arrestuar janë shqiptarë.
“Operacioni i sotëm nuk i është drejtuar asnjë nacionaliteti apo komuniteti që jeton në Kosovë. Ai i është drejtuar kriminelëve që janë identifikuar si kontrabandues të mallrave ilegale në territorin e Republikës sonë. Kriminelët nuk ndahen në grupe etnike. Ata ndahen sipas veprave kriminale. Përkatësia etnike nuk i bën as cak, e as imun. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se prokurorja që ka zhvilluar hetimet paraprake në komunën veriore të Mitrovicës është serbe. Gjykatësi i procedurës paraprake është serb. Pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në atë rajon janë shumica absolute serbë. Shumica e të arrestuarve janë shqiptarë. Shumica e të kërkuarve janë shqiptarë”, shkroi Sveçla në Facebook.
Sveçla ka bërë thirrje që bashkëqytetarët në komunën veriore të Mitrovicës të mos ndjehen të rrezikuar apo kërcënuar.
“Asgjë nuk mund të shërbejë si mburojë e veprimeve kriminale dhe askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Aksioni i sotëm, përveçse i përgatitur mirë dhe i koordinuar me bashkëpunëtorët tonë, ka qenë në shërbim të misionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për tu kujdesur për sundim të ligjit dhe sigurinë publike në tërë territorin e Republikës sonë. Për këtë jemi dhe mbetemi të përkushtuar. Zyrtarëve të lënduar policorë nga aksioni i sotëm, u uroj shërim dhe kthim sa më të shpejtë në detyrë. Kurse bashkëqytetarëve tonë në komunën veriore të Mitrovicës i bëj thirrje që mos të ndjehen të rrezikuar apo kërcënuar. Vendosja e rendin dhe ligjit është në të mirë të të qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, shkroi Sveçla.