Friday, November 22, 2024
HomeLajmeSurroi: Ka paralajmërim rikthimi `gjeneralësh` të fortë amerikanë në dialog

Surroi: Ka paralajmërim rikthimi `gjeneralësh` të fortë amerikanë në dialog

Publicisti Veton Surroi, duke folur për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, tha se ka vetëm një të vërtetë. “Kosova është vendi më pro amerikan në botë”, tha ai dhe sipas tij, “kjo nuk lëvizë”.

Ai tha se nuk bëhet fjalë për pro ose kundër amerikanizmit kur vjen çështja tek pyetja se- “si të bëhet shtendosja e situatës”- dhe jo tek ajo- “a duhet të bëhet shtendosja e situatës”.

“Pra pyetja është se si të bëhet dhe jemi në situatë ku përgjigja e Kosovës duhet të jetë po apo jo kushteve sepse këto kushte janë të përbashkëta”, tha Surroi.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë rast kur liderët e Kosovës kanë pasur përplasje verbale me zyrtarë të lartë amerikanë sikurse kryeministri Kurti i cili deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit e cilësoi si -“naive”, publicisti Surroi tha se në këtë rast- “nuk ka qenë përzgjedhja më e mirë e fjalëve”.

Ai tha se ka pasur përplasje edhe më herët në nivele tjera si në konferencën e Rambujesë. “Por duhet tejkaluar çdo hapësirë mëdyshjeje që ekziston mes nesh dhe SHBA-së”, tha Surroi, duke shpjeguar se rezultatet më të mëdha kanë qenë kur ka pasur sinqeritet më të madh.

Duke folur për çështjen e  Asociacionit, Surroi tha se është përtej imagjinatës së tij se si Asociacioni mund ta largojë ndikimin  Serbisë në Kosovë.

“Mendoj se përkundrazi, ajo çfarë na duhet është të krijojmë marrëdhënie të tilla me Serbinë, natyrisht jo në këtë gjendje fare është sot, një formë të partneritetit që të kenë të drejtën legjitime të kujdesit për popullatën serbe, kulturën serbe, praninë historike religjioze serbe këtu, duke respektuar në tërësi sovranitetin  Kosovës”, tha Surroi, duke shtuar se në të njëjtën mënyrë edhe -“Kosova të ketë të drejtën që të kujdesët për lidhjen historike që ka me qytetarët shqiptarë në Luginën e  Preshevës”.

“Kjo edhe në ruajtjen fizike të qytetarëve shqiptarë në Luginë të cilët kanë pësuar një spastrim të heshtur nëpërmjet çregjistrimit”, tha Surroi, duke e konkulduar se çështjet janë më të ndërlikuara sesa që ka mundësi t’i zgjidhë një dokument apo një tjetër.

Surroi tha se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë është dashur të arrihet në pranverë të këtij viti, por megjithatë nuk ndodhi.

“Një investim shumë i madh politik i Gjermanisë e Francës, degradoi tek një moment ku pranohet që njëra palë të konsiderojë marrëveshje e tjetra të mos e konsiderojë marrëveshje. Momenti kur është marrëveshje që quhet dypalëshe e njëra palë thotë se nuk ka marrëveshje, atëherë nuk ekziston marrëveshja”, tha ai.

Publicisti deklaroi se Kosova duhet t’i zbatojë të gjitha pikat e asaj marrëveshje. “Por ajo marrëveshje a vlen për Serbinë apo jo, sepse nëse nuk vlen për Serbinë, përse duhet zbatuar kjo pjesa tjetër e  marrëveshjes”.

Në këtë rast, Surroi tha se- “nuk ka marrëveshje të normalizimit por kjo është marrëveshje e abnormalizimit”.

Duke folur për trajtim jo të barabartë në bisedime mes Kosovës e Serbisë, Surroi tha  është identifikuar si më lehtë e drejta e ushtrimit të shtypjes ndaj Prishtinës sesa ndaj Beogradit.

“Ndaj Beogradit është një politikë tjetër sepse Prishtina është e orientuar drejt perëndimit. Në mendjen e Prishtinës është integrimi euro-atlantik e në atë të Beogradit është mendim i ndarë mes lidhjes me Rusinë, Perëndimit, Kinës etj”.

Megjithatë, ai tha se nuk ka nevojë të krijohet një komunikimi i atillë që për të kënaqur pesë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duhet adaptuar komplet politika e jashtme evropiane ndaj Kosovës e Serbisë.

“Ky është problem që ekziston i vendimmarrjes brenda BE-së dhe debat i madh brenda BE-së për atë se a do të ketë votim të shumicës së kualifikuar për politikë të jashtme apo konsensus i plotë”, tha Surroi.

“Nëse mbet konsensus i plotë, atëherë vende të ndryshme mund të diktojnë politika që janë në disfavor të Kosovës”.

Sidoqoftë, duke iu rikthyer situatës së fundit në Kosovë, Surroi tha se ka paralajmërime serioze të rikthimit të SHBA-së në këtë proces të dialogut.

“Mos e merrni vetëm vizitën e  Escobarit, por mendoj se ka edhe brenda administratës amerikane ekziston një rivlerësim i situatës sepse ky proces po shkon shumë ngadalë me këtë ndërmjetësim dhe ka nevojë për energji plotësuese”.

Duke e përshkruar këtë ai tha se në këtë aspekt, duke folur në terma ushtarak, nuk bëhet fjalë për “artileri tjetër” sesa që bëhet fjalë për “gjeneralë më të mirë”.

Kurse sa i përket diskursit të Mbretërisë së Bashkuar tha se ata kanë pasur gjithnjë një politikë të veçantë dhe se fatkeqësisht kanë dalë nga BE.

Surroi tha se kur flitet për siguri, ajo në rajon perceptohet në nivel më të ngushtë.

“SHBA e shohin sigurinë në kontekst evropiane  kontinental. E kur diçka ndodhë në kontinentet, ato janë të lidhura me Evropën Lindore, ndërlidhet me Ukrainën dhe e tërë Evropa ndodhet në një gjendje pasigurie dhe nuk nevojiten vatra të tjera të tilla”, tha Surroi në RTK.

Ai më tej theksoi se kjo duhet kuptuar drejt ashtu siç është.

I pyetur mbi deklaratën e Escobar se nuk duhet ruajtur raportet me një person që nuk bashkëpunon me SHBA-në, duke aluduar në kryeministrin Albin Kurti, ndërkohë që me popullin e Kosovës, SHBA do të jetë gjithmonë njësoj, Surroi u shpreh se “demokracitë zgjedhin liderë”.

“Derisa të ketë zgjedhje të ardhshme, kjo është qeveria me të cilën do të punohet”, tha Surroi, duke shtuar se duhet tejkaluar niveli i personalizimit, kur ka kërkesa direkte. “Shtendosje të situatës duhet të ketë ,zgjedhje duhet të ketë, kthim në dialog duhet të ketë”.

Publicisti Surroi në këtë intervistë në “RTK Prime”, u shpreh se duhet të merren parasysh edhe disa vërejtjet që bën Kosova.

“Kur është shtendosje, do të thotë krijim të ambientit të sigurisë. E kjo nuk mund të bëhet në kohën kur janë rrahur e plagosur 30 ushtarë të KFOR-it dhe nuk ka përgjegjësi juridike për këtë”, u shpreh Surroi.

Ai tha se për këtë ka pasoja politike.

Surroi u shpreh se ka raste kur jo vetëm që duhet marrë mesazhe nga jashtë brenda, por duhet dhënë mesazhe edhe nga brenda për jashtë. Ai përmendi në këtë rast, pranimin nga ana e Brukselit zyrtar që marrëveshja e Brukselit të pranohet e pa nënshkruar.

“Lajçak ka një pjesë të përgjegjësisë për këtë fazë të procesit sepse BE-ja me një vendim jo të mençur ka pranuar që marrëveshja e Brukselit të mos jetë e nënshkruar e për më tepër ka pranuar që Vuçiq të deklarojë se nuk ekziston ajo marrëveshje”, tha Surroi.

“Apo se ai do të zgjedhë se cilën pikë të marrëveshjes ta zbatojë e cilën jo”.

Ai shtoi se në këso kushtesh, ndërmjetësi duhet t’i ndizet drita e alarmit e të thotë se-“ngadalë, kjo është marrëveshje obliguese si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”.

Sidoqoftë, publicisti Surroi tha se Kosova jo vetëm që e ka pranuar se marrëveshja është e obligueshme, por ka ofruare dhe ta nënshkruajë, ndërkohë që këtë nuk e ka bërë Serbia.

“Këtu kemi të bëjmë me një problem të madh juridik që reflektohet edhe në procesin negociator sepse Kosova është shumë e interesuar të shpejtohet ky proces”.

Ai rikujtoi se shtyrja e mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit është bërë pas kërkesës së ndërkombëtarëve vetëm për të siguruar pjesëmarrjen e Listës Serbe me garanci se ata do të marrin pjesë.

“Tani i kërkohet Kosovës dhe i jepen porosi një kahesh, ndërkohë që ato janë dy kahesh. Në mënyrë që të arrihet marrëveshje, duhet të dëgjohet edhe argumenti i Kosovës e që ka logjikë”, tha Surroi, sipas të cilit, nëse duhet ambient i sigurt, duhet krijuar paketë e sigurisë për shtendosje të situatës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments