Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Kosova të kondultohet me bashkësinë ndërkombëtare dhe veçanërisht KFOR-in edhe për vendosjen e Policisë në pjesën veriore të vendit.
Escobar e quajti të rëndësishme kërkesën e shprehur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg javën e kaluar, se Kosova duhet të konsultohet me kohë me Aleancën “për çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë mjedisin e sigurisë”.
“Kjo është kërkesë, që është vërtet e rëndësishme. KFOR-i ka pjesë të përgjegjësisë për të siguruar një mjedis të sigurtë brenda, ashtu siç e ka edhe EULEX-i. Shpresojmë që qeveria e Kosovës do ta konsiderojë bashkësinë ndërkombëtare, dhe në veçanti NATO-n, si partner të rëndësishëm me të cilin duhet të këshillohet dhe koordinohet. Absolutisht që e mendojmë kështu. Dhe do të vazhdojmë të kërkojmë nga qeveria e Kosovës të mbajë komunikim të afërt me NATO-n dhe KFOR-in në terren”, tha Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Ai tha se “është shumë e rëndësishme për të parandaluar ndonjë përllogaritje të gabuar”.
Në Kosovë, askush nga institucionet nuk tregoi nëse NATO dhe misioni i saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR-i kanë kërkesa të reja në lidhje me dërgimin e Policisë speciale në veri.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, të enjten pasi e priti në një takim në Bruksel presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një konferencë të përbashkët për media se duhen konsultuar para “çdo zbarkimi” në veri.
“Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave të sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, që mund të ketë ndikim në siguri. Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon miratimin e KFOR-it dhe ka nevojë për konsultim të afërt mes autoriteteve të Prishtinës dhe KFOR-it”, tha Stoltenberg.