Avokati serb Çedomir Stojkoviq tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do ta arrestojë kurrë Milan Radoiçiqin, i cili kishte pranuar se organizoi sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së fundmi ka bërë thirrje për arrestimin e Radoiçiqit, i cili është në kërkim nga Interpoli dhe i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.
Stojkoviq tha se Vuçiqi jo vetëm që s’do ta arrestojë Radoiçiqin, porse avokatin e tij, Goran Petronieviqin, e ka dërguar si vëzhgues në zgjedhjet presidenciale në Rusi.
“Vuçiqi jo vetëm që s’do ta arrestojë Radoiçiqin, por e dërgon avokatin e tij dhe të vetin në Krime për të vëzhguar zgjedhjet e Putinit”, shkroi Stojkoviq në “X”.
Avokati i Radoiçiqit, por edhe i Vuçiqit, Goran Petronieviq, po merr pjesë si vëzhgues në rajonin e Krimesë.