Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, që po hartohet rreth asaj nëse Kosova ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për heqjen e masave ndëshkuese ndaj saj e që më pas do t’iu prezantohet shteteve anëtare, është ende duke u finalizuar.
Këto komente Peter Stano, i ka bërë të ditura në një konferencë për medie.
Sipas Stanos, raporti ende nuk ka përfunduar dhe rrjedhimisht nuk është u dërguar as shteteve anëtare.
Gjithashtu, Stano ka theksuar se në të do të përfshihen edhe zhvillimet e fundit, përfshirë këtu mbylljen e pikave ilegale të bankave serbe në vend dhe aksionin e Policisë së Kosovës për konfiskimin e dinarëve.
Masat janë vendosur si përgjigje e hapave të pakoordinuar e të njëanshëm që dërgojnë drejtë eskalimit të mëtejmë, dhe nuk ndihmojnë në deeskalim. Ato ishin vendosur me qëllimin që të motivojnë autoritetet kosovare që të punojnë drejt deeskalimit, kështu që sigurisht gjithçka që po ndodh në terren dhe ka ndikim negativ në përpjekjet për deeskalim, po merret parasysh dhe përfshihet në raport”, ka thënë Stano.
Tri javë më parë, Stano kishte deklaruar se raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në lidhje me zbatimin e kërkesave të BE-së para heqjes së masave, ishte në përfundim e sipër dhe pritej që shumë shpejt t’u dorëzohej vendeve anëtare para se eventualisht të merrej një vendim.