Lista Srpska u ka dërguar një letër ambasadorëve të shteteve të Quint-it në Kosovë përmes së cilës i shprehin “kërkesat dhe pritjet e popullit serb”.
Partia e mbështetur nga Beogradi vazhdoi propagandën e pushtetit në Serbi se në Kosovë ka “terror nga Albin Kurti” dhe synime për “eksod të serbëve”.
“Ne po ju drejtohemi në emër të popullit serb nga Kosova, duke ju përcjellë lutjet dhe pritshmëritë e popullit që të përdorni fuqinë tuaj të madhe personale, si dhe autoritetin e vendeve të respektuara që përfaqësoni në këto fusha, që urgjentisht të ndaloni eksodin e popullit tonë nga vatrat e tyre shekullore”, u tha në letrën e Listës Srpska, të cilën thotë se e ka parë mediumi serb “Tanjug”.
Letra vazhdoi me ankesat e Listës Srpska që tha se “dhuna ndaj popullit serb” u intensifikua nga viti 2021 me ardhjen e kryeministrit Albin Kurti në pushtet.
“Nuk ka asnjë të drejtë njerëzore në Kosovë që regjimi i Albin Kurtit nuk e ka shkelë kur bëhet fjalë për serbët. E fundit në serinë e këtyre masave drastike ndaj serbëve është vendimi për anulimin e dinarit, pra transaksionin e pagesës, i cili shkakton kolapsin financiar të popullit serb në këto zona. Serbët u vunë në pozitën më të vështirë që nga konflikti i vitit 1999 dhe faktikisht u detyruan të largoheshin nga këto hapësira”, thuhet në letër ku u shkruan edhe shifrat e përfitimeve.
“Nëse merret parasysh se nga buxheti i Serbisë paguhen 31.831 paga, 29.115 pensione, 2.430 bursa, mbi 31.000 përfitime sociale, ai vendim do të lërë pa burim të ardhurash 100.000 serbë”.
“Përveç kësaj, të gjitha institucionet e sistemit serb, duke filluar nga shëndetësia, arsimi, shërbimet sociale, kuzhinat e ushqimeve, kolektivet sportive dhe kulturore, nuk do të mund të funksionojnë, sepse ndërprerja e transaksioneve të pagesave i pengon ata të marrin para edhe për punonjësit. për shembull, studentët tanë nuk do të kenë para nga bursa, por nuk do të mund të paguajnë tarifat e shkollës, regjistrimet e provimeve apo konviktet e studentëve dhe ushqimin në mensë. Asnjë nga serbët nuk do të mund të paguajë kreditë, faturat dhe sigurimin e ushqimit për fëmijët e tyre. Problem i veçantë do të kenë qytetarët të cilët fatkeqësisht kanë nevojë për ndihmën e duhur sociale për jetën e tyre të përditshme, e cila nuk do të mund të paguhet, me fjalë të tjera, asnjë institucion arsimor dhe shëndetësor nuk do të mundet të vazhdojë të funksionojnë në këto kushte, madje edhe bashkëqytetarët tanë më të vjetër me sëmundje të ndryshme, do të mbeten pa pensione dhe pa mundësi për t’u siguruar me ushqime dhe ilaçe, si dhe për të paguar rregullisht faturat e tyre”.
Për më tepër, Lista Srpska përfshiu edhe etnitë tjera që jetojnë në Kosovë, duke thënë se “do të preken” nga vendimi i BQK-së. Derisa ekzagjeroi duke përdorur edhe termin “gjenocid”.
“Do të jetë i pamundur furnizimi me ushqime, barna dhe mjete mjekësore për institucionet shëndetësore që ofrojnë shërbime për serbët, por edhe për shqiptarët, boshnjakët, romët, goranët dhe të gjithë qytetarët e tjerë. Nëse ky vendim katastrofik mbetet në fuqi, mos keni dyshime se Kosova do të mbetet pa serbë. Ata janë vendosur qëllimisht në një pozitë dhe kushte jetese jashtëzakonisht të pafavorshme dhe çnjerëzore, të cilat mund t’i atribuohen qëllimeve gjenocidale të Institucionet e Kosovës”.