Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) ka kërkuar sot që të përfshihen në pagat shtesë edhe punonjësit e sektorit privat që janë të angazhuar në spitale dhe nëpër QKMF në kohë pandemie.
Kryetari i kësaj SPSPK-së, Jusuf Azemi theksoi se janë këmbëngulës për realizimin e kërkesave të tyre, derisa thotë se Qeveria po bënë ndarje karshi punëtorëve.
Ai në një konferencë për media theksoi se punëtorët e shërbimit teknik dhe ata të sigurimit fizik të spitaleve e QKMF-ve u diskriminuan me diferencimin për shtesën prej 60 euro.
“E gjithë kjo marrëzi, që bëhet nga Qeveria e Kosovës me këto ndarje të mbetet me të tyren. Ne jemi këmbëngulës që ta marrim atë çka ne e meritojmë. Nuk ka ndarje, për të njëjtën hyrje po hynë, mjekë, punëtorë të sigurimit, punëtorë të pastrimit e infermierë. Kështu, që COVID-19 nuk njeh dhe nuk bën dallime ashtu qysh bën dallime qeveria e Kosovës. Aq sa na prek neve, po e prek mjekun dhe që të gjithë. Andaj, jemi keq të indinjuar dhe keq të diskriminuar, megjithatë, ne nuk do të gjunjëzohemi. Ne, për hir të fatit të pacientëve, të cilët janë në gjendje çfarë janë do të shtyjmë këtë situatë, aq sa mund ta shtyjmë dhe po presim ditë më të mira që të bie numri i të infektuarve”, tha Azemi.
Ai tha se veprimet e fundit të Qeverisë nuk përkojnë me sloganin e fushatës zgjedhore “Krejt dhe Drejt”.
Azemi theksoi se meqë vendi është afër zgjedhjeve, do ta ndëshkojnë me votë qeverinë për këto ndarje në pagat shtesë.
“U qoftë hallall i gjithë mundi jonë të gjithë pacientëve, të gjithë atyre që ndërruan jetë, por mos u qoftë hallall të gjithë atyre që vetëm në kohën Serbisë kanë ditur të na diskriminojnë… Është nis me parullën “Krejt dhe Drejt” dhe ne si sindikatë po e shohim “Krejt dhe Shtrembët”. Ne në 24 orë jemi me njerëz të infektuar, përderisa qeveritarët dhe deputetët tonë tanë po bëjnë ‘zef’ nëpër deti. Prandaj, ne jemi ata që po ballafaqohemi 24 orë, ne jemi ata që nuk po mund të shkojmë as në pushime vjetore”, theksoi ai.
Kryetari sindikal, Azemi theksoi se data përfundimtare që të ndryshohen këto vendime është 30 shtator, në të kundërtën do të organizojnë protesta.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i ndajë 2.7 milionë euro për pagesa shtesë për personelin mjekësor. Sipas ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kjo ndarje nga 60 euro është për muajt gusht, shtator dhe tetor.