Punimet për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak të Serbisë, do të rifillojnë sot, më 5 maj dhe do të përcillen nga ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës.
Kështu ka thënë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të pagjeturit.
“Sa i përket vazhdimit të gërmimeve në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak, siç e kemi potencuar edhe më parë, ju konfirmojmë se nga data 5 maj, do të rifillojnë gërmimet në këtë lokacion. Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, pra ekspertët mjeko-ligjorë të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të jenë të pranishëm, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, në përcjellje të gërmimeve dhe të gjitha fazave tjera profesionale mjeko-ligjore të nevojshme për t’u realizuar në këtë lokacion”, tha Gara.
Ekspertët mjeko-ligjorë të pranishëm nga Republika e Kosovës në Kizhevak të Serbisë do të jenë Naim Uka dhe Valon Hyseni.