Sot pasdite në Qeverinë e Kosovës pritet të miratohet Projektbuxheti për vitin 2022, e që u paralajmërua nga kryeministri Albin Kurti se ky buxhet për vitin e ardhshëm do të jetë rreth 9 përqind më i lartë se buxheti i rishikuar në mes të këtij viti.
Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), Berat Rukiqi ka thënë për KosovaPress se rritja e të hyrave për sivjet dhe projeksionet e buxhetit për vitin 2022 do të jenë si pasojë e rritjes së çmimeve.
Rukiqi ka thënë po ashtu se me buxhetin e vitit 2022, Qeveria duhet të ketë në prioritet katër fusha, atë për energji, mbështetje të eksportit, fuqinë punëtore dhe digjitalizimin.
Kryeministri Kurti në një konferencë për medie njoftoi se e ka diskutuar me ministrin e Financave, Hekuran Murati, që sot të zhvillohet një mbledhje e Qeverisë për të miratuar buxhetin për vitin 2022, që pritet të jetë 9 për qind më i lartë se buxheti i vitit 2021.
“Sot kam pasur takim me ministrin e Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, para se të fillojë orari i punës dhe kemi diskutuar që ta bëjmë sot pasdite një mbledhje të Qeverisë në të cilin do të miratohet buxheti sipas propozimit tonë për vitin 2022, dhe natyrisht atë mbledhje do të mund ta ndiqni edhe ju, por krahasuar me rishikimin e buxhetit të bërë në mes të vitit, buxheti për 2022 përafërsisht do të jetë diku rreth 9 për qind më i lartë”, theksoi Kurti.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi sa i përket buxhetit, ka kërkuar përmirësim në efikasitetin e investimeve publike, në mënyrë siç thotë ai, mjetet buxhetore që ndahen për zhvillim, për ekonomi dhe për reforma ta arrijnë efektin e vet.
“Mendoj se katër fusha janë me rëndësi, e para energjia, e dyta është eksporti, e treta fuqia punëtore dhe fusha e katërt është digjitalizimi ose investimet në teknologjinë informative. Këto janë katër prioritetet që ne i shohim me rëndësi për buxhetin, jo vetëm për vitin 2022, por edhe për një kornizë afatmesme buxhetore[…](Rritja e buxhetit) Normal që kjo reflekton në rritjen e të hyrave, por normalisht edhe projeksionet për vitin vijues kanë me qenë me rritje të hyrave edhe si pasojë e rritjes së çmimeve-të importit. Pra, kemi mbledhur edhe TVSH më shumë[…]Ne duhet me përshpejtu implementimin e projekteve[…]të mos përfundojmë në suficite buxhetore. Ajo që është më rëndësi duhet me pasur më shumë efikasitet sa i përket investimeve kapitale”, thotë Rukiqi për KosovaPress.
Qeveria e Kosovës ka afat ligjor që deri më 31 tetor të procedojë projektbuxhetin në Kuvendin e Kosovës për shqyrtimin dhe miratimin e tij në dy leximet.