Monday, November 25, 2024
HomeLajmeSot një javë zgjedhjet në Veri, a do të mbahen ato?

Sot një javë zgjedhjet në Veri, a do të mbahen ato?

Sot një javë pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvende komunale në Zveçan dhe Leposaviq. Këto zgjedhje janë bojkotuar nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve, gjë që shton pikëpyetjet nëse mund të mbahen ato. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa në anën tjetër, nga partia në pushtet, LVV, kanë deklaruar se ato do të mbahen.

Të dielën e 23 prillit, qytetarët e katër komunave në Veri pritet t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e tyre, pasi ata të fundit u dorëhoqën në nëntor për shkak të vendimit për targat.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e së enjtes ka kërkuar nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti shtyrjen e zgjedhjeve.

“Unë i bëj thirrje qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në Veri dhe ta marrin një vendim në lidhje me këtë situatë. Cili do të ishte ky vendim, unë besoj shumë që do të ishte shtyrja e zgjedhjeve”, është shprehur Haradinaj.

Mirëpo kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufa ka thënë se zgjedhjet në Veri janë shtyrë një herë dhe kanë marrë garanci që nuk do të shtyhen më.

“Nuk mund të kushtëzohemi prej Vuçiqit, prej Beogradit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur mund të ketë zgjedhje ose jo në Kosovë. Zgjedhjet janë caktuar. Një kompromis i mëhershëm ka ndodhur dhe zgjedhjet janë shtyrë një herë. Ato janë shtyrë me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare. Ne kemi marrë garancinë prej tyre se nuk do të shtyhen më shumë se një herë”, ka deklaruar ai.

Konjufca poashtu ka deklaruar se ka “tendencë të qartë” që të destabilizohet veriu i Kosovës përpara zgjedhjeve të 23 prillit, derisa u ka bërë thirrje për qetësi të gjithë qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.

“Meqenëse edhe zgjedhjet po afrohen tash, pra pas dhjetë dite është data e zgjedhjeve, nuk janë të rastësishme të gjitha këto që po ndodhin, meqë është një tendencë e qartë që te destabilizohet ajo pjesë e vendit, përpara zgjedhjeve të 23 prillit”, ka deklaruar Konjufca për KP ditë më parë.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se është i bindur se procesi zgjedhor në Veri do të përfundojë i qetë dhe i suksesshëm. Ai ka shtuar se institucionet janë duke vazhduar me organizmin e këtyre zgjedhjeve.

“Për ne është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë, të sigurt, qoftë për organizatorët, por edhe për vetë qytetarët atje. Janë çështje të vendimeve politike të subjekteve të caktuara të cilat duan apo nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje. Por, me rëndësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor, ashtu siç është më së miri. Jam i bindur që i gjithë ky proces do të përfundojë i qetë, i suksesshëm duke tejkaluar edhe problemet të cilat i përmenda”, ka deklaruar Sveçla.

Kujtojmë se javët e fundit ka pasur incidente në Veri- djegia të veturave, sulmi ndaj policisë dhe plagosja e qytetarit serb ku dyshohet se është përfshirë një zyrtar policor.

Në anën tjetër KQZ ka miratuar listën me qendrat e votimit. Sipas vendimit, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments