Monday, November 25, 2024
HomeLajmeSot në Speciale fjalën e ka mbrojtja e Krasniqit

Sot në Speciale fjalën e ka mbrojtja e Krasniqit

Sot fjalën e saj do të thotë mbrojtja e Jakup Krasniqit. Në seancën e cila do të fillojë në orën 09:00 sipas kohës lokale në Kosovë, por që sinjali i transmetimit vjen për 45 minuta me vonesë, për shkaqe sigurie, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Mbrojtës të Krasniqit janë: Venkateswari Alagendra (Mbrojtëse), Eidën Elis dhe Viktor Bëjeshu (Bashkëmbrojtës).

Bazuar në kalendarin e Dhomave të Specializuara, seancat në rastin “Thaçi e të tjerët” do të vazhdojnë edhe me 5 prill, pastaj me 11, 12, 13 dhe 17, 18, 19 e 20 prill.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022). ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.

Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022.

Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments