Wednesday, November 27, 2024
HomeBotaSkandali, si loboi Emmanuel Macron për Uberin në Francë: Lëvizjet e fshehta

Skandali, si loboi Emmanuel Macron për Uberin në Francë: Lëvizjet e fshehta

Më shumë se 124 mijë dokumente konfidenciale janë publikuar në “The Guardian” rreth kompanisë gjigante amerikane“Uber”, sipas të cilave “kanë blerë politikanë botërorë duke i shkelur ligjet”, me qëllim zgjerimin e afarizmit në nivel global. Si i përfshirë akuzohet edhe Emmanuel Macron.

Bazuar në atë që raporton “The Guardian”, “Emmanuel Macron ndihmoi fshehurazi lobimin e ‘Uber’ në Francë”. Parisi ishte pikënisja e Uber-it në Europë dhe hasi në rezistencë të ashpër nga industria e taksive, duke kulmuar me protesta të dhunshme në rrugë sipas BBC.

Ai e shihte Uber-in si një burim rritjeje dhe kishte shumë nevojë për punë të reja dhe ishte i etur për të ndihmuar. Atë tetor, ai zhvilloi një takim me Kalanick dhe drejtues e lobistë të tjerë, i cili shënoi fillimin e një qëndrimi të gjatë por pak të publikuar si një kampion i interesave të firmës kontroverse brenda qeverisë.

Lobisti i Uber, Mark MacGann e përshkroi takimin si “spektakolar. Emmanuel dhe Travis u takuan të paktën katër herë, sipas dosjeve në Paris dhe në konferencën e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Më parë është raportuar vetëm takimi i Davosit. Në një moment Uber i shkroi Macron duke thënë se ishte “jashtëzakonisht mirënjohës.”

Taksistët francezë u indinjuan veçanërisht nga lansimi i UberPop në vitin 2014 – një shërbim që lejoi shoferët e palicencuar të ofrojnë udhëtime, me çmime shumë më të ulëta. Gjykatat dhe parlamenti e ndaluan atë, por Uber vazhdoi punën pavarësisht kundërshtimeve.

Macron nuk mendoi se kishte një të ardhme për UberPop, por ai pranoi të punonte me kompaninë për të rishkruar ligjet e Francës që rregullojnë shërbimet e tjera të saj. Më 25 qershor 2015, protestat u bënë të dhunshme dhe një javë më vonë, Macron i dërgoi mesazh Kalanick duke i ofruar një ofertë.

Në të njëjtën ditë, Uber njoftoi pezullimin e UberPop në Francë. Muaj më vonë, Macron nënshkroi një dekret që lehtësonte kërkesat për licencimin e shoferëve të Uber. Forcimi i marrëdhënieve të tani-presidentit të Francës me firmën e diskutueshme globale që ishte në kundërshtim me ligjin francez nuk është zbuluar deri më tani.

Uber tha se “pezullimi i UberPop nuk u pasua në asnjë mënyrë nga rregullore më të favorshme” dhe një ligj i ri që hyri në fuqi në 2018 rezultoi që Franca të miratonte “rregulla më të rrepta” që “në asnjë mënyrë nuk ishin të dobishme për Uber”.

Dosjet zbulojnë gjithashtu se si marrëdhënia e Uber-it me një nga zyrtarët më të lartë të Europës, nën presidenten e Komisionit Europian Neelie Kroes, filloi shumë më herët dhe ishte më e thellë se sa dihej më parë, duke shkelur në këtë mënyrë ligjet.

Sipas dosjeve, ajo ishte në bisedime për t’u bashkuar me bordin këshillues të Uber para se të linte postin e saj të fundit europian në nëntor 2014. Si komisionere, Kroes mbikëqyri politikën dixhitale dhe luajti një rol kryesor në goditjen e Microsoft dhe Intel me gjoba masive.

Por nga të gjitha kompanitë për të cilat ajo mund të kishte punuar pas largimit, Uber ishte një zgjedhje veçanërisht e diskutueshme. Drejtuesit e Uber u arrestuan në tetor 2014 dhe atë dhjetor një gjykatës në Hagë e ndaloi UberPop, duke kërcënuar me gjoba deri në 100,000 euro.

Në mars 2015, zyra e Uber në Amsterdam u bastis nga policia holandeze. Emailet thonë se Kroes thirri ministrat dhe anëtarët e tjerë të qeverisë për t’i bindur ata të tërhiqeshin gjatë bastisjes.

Ajo i shkroi Komitetit Ad Hoc Etik të komisionit duke kërkuar leje për t’u bashkuar me bordin këshillues të Uber para se të përfundonin 18 muajt dhe i bëri thirrje presidentit të komisionit Jean-Claude Juncker. Kjo leje u refuzua, por dokumentet tregojnë se Kroes vazhdoi të ndihmonte kompaninë në mënyrë joformale derisa u shpall emërimi i saj.

Kjo nënvizon se  Kroes kishte shkeluar qartë rregullat, tha Alberto Alemanno, profesor Jean Monnet i së drejtës së Bashkimit Europian në HEC Paris. Duke parë të gjitha zbulimet në lidhje me marrëdhënien e Kroes me Uber, ai tha: “Më bën të ndihem se sistemi ynë ndoshta nuk është i përshtatshëm për qëllimin, sepse kjo situatë duhet të ishte parandaluar”.

Kroes ka mohuar nga ana tjetër akuzat se ka pasur një “rol formal ose informal në Uber” përpara majit 2016. Ajo tha se si komisionere e BE-së ka bashkëvepruar me kompani të shumta teknologjike, gjithmonë e nxitur nga interesi publik.

Gjatë asaj periudhe, qeveria holandeze emëroi të dërguarin e saj të posaçëm për bizneset fillestare, e cila përfshinte ndërveprime me një “gamë të gjerë biznesesh, qeverish dhe subjektesh joqeveritare” me synimin për të promovuar një “ekosistem miqësor ndaj biznesit dhe mikpritës në Holandë”, tha ajo.

Një zëdhënës i ministrisë holandeze të çështjeve ekonomike thotë se “Uber nuk u konsiderua si një start-up në 2015”. Sipas Uber, Kroes u largua nga bordi këshillues në vitin 2018 dhe thotë se që atëherë ka prezantuar udhëzime të reja “duke forcuar mbikëqyrjen” e “lobimit dhe angazhimeve të jashtme me politikëbërësit” në Europë.

Një grumbull dosjesh konfidenciale ka zbuluar historinë e brendshme se si gjigandi i teknologjisë “Uber” “shpërfilli ligjet, mashtroi policinë, shfrytëzoi dhunën kundër shoferëve dhe loboi fshehurazi qeveritë gjatë zgjerimit të tij agresiv global”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments