Tash e dy javë që ka nisur agresioni rus ndaj Ukrainës, pas hutisë fillestare, në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor, filloi të artikulohet dëshira për anëtarësim të përshpejtuar në BE dhe në NATO. Këtë dëshirë e stimuloi edhe më shumë aplikimi i Ukrainës për t’u bërë pjesë e Unionit, të cilin Zelenskyi e nënshkroi nën jehonën e bombave ruse. Kryeministri Albin Kurti, me gjasë u bë i pari që tha publikisht se anëtarësimi nuk mund të bëhet në mënyrat e vjetra, duke aluduar në proceset e stërzgjatura dhe të mundimshme, të hyrjes në klubin e shteteve europiane “Është imperativ që Brukseli, si kryeqytet i NATO’s dhe BE’së, ta rimendojnë zgjerimin në Ballkanin Perëndimor”.
Por, Gjermania si një nga shtetet kyçe që pyetet për çështjen e anëtarësimeve të reja, mbrëmë, në Kosovë shoi ëndrrën për katapultim në BE. Kryediplomatja gjermane Annalena Baerbock tha se nuk ka rrugë të shpejtë drejtë BE’së. Në Prishtinë ajo përmendi të gjitha fazat që duhen kaluar, përfshirë edhe bisedimet me Serbinë të cilat i lidhi me statusin e kandidatit të cilin Kosova nuk e ka ende. Të njëjtin mesazh dje Ukrainës ia çuan edhe liderët e BE’së – s’ka rrugë të shpejtë.
Bombat do të vazhdojnë të biejnë në territorin e Ukrainës dhe BE do ta ketë edhe më të qartë rrezikun nga Rusia e Putinit. Vendet anëtare të BE’së do të jenë po ashtu të edhe më të vetëdishme që rusët mund të shkaktojnë probleme serioze edhë në rajonin fqinj të tyre, Ballkanin Perëndimor, por kjo nuk do t’i shtyjë ata t’i bëjnë ndonjë koncesion për anëtarësim të përshpejtuar Ballkani Perëndimor, rajonit që aspiron të bëhet pjesë e BE’së.
“Duhet ta themi sinqerisht, shumë prej këtyre vendeve i kemi zhgënjyer dhe i kemi lënë pas dore vitet e fundit”, ka thënë Baerbock.
Ajo tha se në Prishtinë , Sarajevë dhe Beograd të japë mesazhin se “rajoni që gjendet në zemër të Evropës nuk do ta lënë nën ndikimin e Moskës”.
Por, vetëm kaq dhe jo më shumë.
Të enjten mbrëma, në një konferencë për media bashkë me Kryeministrin Kurti, ministrja energjike gjermane dha pak shpresa për një anëtarësim të shpejtë.
Ajo përmendi etapat nëpër të cilat duhet të kalojë Kosova për t’u anëtarësuar në BE duke bërë lidhje direkte me procesin e dialogut me Serbinë. Më saktë, diplomatja gjermane ka ndërlidhur statusin e vendit kandidat, për të cilin Kurti ka thënë se Kosova do të aplikojë sivjet, me dialogun me Serbinë.
“Jam këtu, për të dhënë një sinjal të qartë sa i përket perspektivës së BE-së, por para anëtarësimit është statusi i kandidatit, dhe para statusit të kandidatit vjen edhe dialogu për normalizim. Prandaj theksova, se ne si Gjermani do të bëjmë gjithçka që do t’ju ndihmojmë dhe t’ju mbështesim që ju të shkoni në këtë rrugë në mënyrë që ky dialog për normalizim të përparojë. Prandaj është e rëndësishme që të dy palët të ulen në këtë tavolinë të dialogut dhe të flasin me njëri tjetrën, duam të theksojmë se kjo mënyrë është Evropa jonë e përbashkët, ne edhe në Evropë kemi bërë premtime në të kaluarën dhe tani duhet që ta mbajmë fjalën” ka thënë Baerbock.
Të enjten në Versajë, liderët e vendeve anëtare kanë diksutuar çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në BE. Edhe pse janë deklaruar se do t’i ndihmojnë në luftë, nuk kanë dhënë shpresa se mund ta pranojnë Ukrainën në situatën aktuale.
Presidenti i Francës Emmnanul Macron i cili kryeson me BE’në ka thënë se Ukrainës duhet dërguar një sinjal të fuqishëm të mbështetjes, por e ka hedhur poshtë mundëinë që ajo mund t’i bashkohet shpejtë bllokut.
“A mund të hapim një procedurë për anëtarësim në BE të një vendi në luftë? Nuk mendoj se mundemi” ka thënë Macron.
“ A do t’i mbyllim dyert dhe t’i themi jo (ukrainës): Asnjëherë?, Kjo do të ishte e padrejtë” ka theksuar Macron.
Edhe një shtet tjetër, Holanda, që është rigoroze kur bëhet fjalë për anëtarësime të reja është treguar rigjide për rastin e Ukrainës.
Marke Rutte, Kryeministri holandez ka thënë se anëatrësimi i Ukrainës në BE nuk mund të përshpejtohet.
“ Nuk ka diçka që është procedurë e shpejtë, një rrugë e shpejtë” ka thënë Rutte.
Ai ka përmendur vendet e Ballkanit perëndimor duke thënë se ato më shumë se një dekadë kanë punuar për t’u bërë vend kandidat për anëtarësim.
“Mendojeni rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Të shohim se cka mund të bëjmë në aspektin praktik” ka thënë Rutte.
Sido që të jetë, Kryeministri Kurti edhe në praninë e mysafirës së tij nga Gjermania ka elaboruar një pranim më të shpejtë të rajonit dhe Kosovës në BE. Ai ka thënë se Kosova është e orientuar si vend proeuropian duke e përmendur refuzimin për të marrë vakcina ruse dhe kineze.
Por, qasja proeuropianiste edhe pse gjenuine në Kosovë, duket se nuk do të ndryshojë shumë.
Kryediplomatja gjermane megjithatë i dha më shumë shpresë Kosovës për vizat.
“Ne do t’i forcojmë lidhjet tona bilaterale me Kosovën, përfshirë regjimin pa viza. Kjo e përmirëson jetën e njerëzve, krijon më shumë kontakte mes tyre dhe forcon paqen. Kosova ka kryer punën, tash duhet të kryej punë BE. Gjermania po punon që kjo të kryhet” ka thënë Barbeock. (SH.L) Gazeta Express.