Rrahman Jasharaj prej kohësh është kthyer në kundërshtarin më të madh të kryeministrit Albin Kurti. Kërcënimet nga pushteti, të përcjella me sharje e ofendime të aktivistëve dhe përkrahësve të LVV-së ndaj Jasharajt, nuk e kanë bërë atë të tërhiqet. Ky dyluftim mes liderit socialdemokrat dhe kryesindikalistit, i ka futur fëmijët në mes, të cilët nuk po shkojnë në shkollë.
Kryeministri Albin Kurti me vartësit e tij, prej kohësh nuk kursejnë sindikatat, e veçanërisht kryesindikalistin e Arsimit, Rrahman Jasharajn. Por as gjuha e as vendimet e pushtetit, deri tash, nuk e kanë bërë Jasharajn të qes hapa prapa. Ai është i vendosur në kërkesat e atyre që i përfaqëson.
“Nëse dorëzohemi tani”, tha sot Jasharaj “këta nuk kanë me ditë me u ndalë”.
Qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje, dikur aleate e sindikatave, ka hyrë në një luftë frontale me sindikalistët dhe grevistët, të cilët kërkojnë kushte më të mira dhe pagesa më të mira për shërbyesit civilë.
Kurti konsideron se tani, gjersa po qeveris ai, sindikatat nuk duhet të jenë “instrument” për bojkotin e Qeverisë.
“Unë e kuptoj që greva është instrument i sindikatave, mirëpo sindikatat vetë nuk bën të jenë instrument të bojkotit të qeverisë e shtetit. Shkolla është shteti, shkolla nuk bën të bojkotohet”, tha Kurti sot në Gjakovë, i hidhëruar që nuk nisi mësimi, për shkak të grevave.
Edhe pse në fushata zgjedhore dhe para tyre, Lëvizja Vetëvendosje rreshtohej ka sindikatat dhe përkrahte grevat e tyre, tani gjërat kanë ndryshuar. Tani, Kurti si Kryeministër, thotë se askush nuk duhet të paguhet kur nuk punojnë.
“Një gjë duhet ta kuptoni, nuk mund të paguhen njerëzit për një punë që nuk e bëjnë. Prandaj janë bërë ndryshime demokratike në Kosovë në shkurtin e vitit e kaluar, e kemi shënuar një 1 vit e gjysmë para një jave”, tha Kurti.
Ky ishte epilogu i një konflikti që ka nisur mes sindikatave dhe Qeverisë, e cila ka kërkuar listat e punonjësve që hyjnë në grevë, për t’ua ndalur pagat.
Ndërkaq, Jasharaj thotë se në vend që të dialogojnë për të gjetur zgjidhje, Qeveria po i kërcënon. Por, thotë ai, nuk sindikalistët nuk do të tërhiqen.
“Pa ta ofru asnjë zgjidhje, por vetëm kërcënime, se do t’ua bëjmë kështu, e do t’ua bëjmë ashtu, e kanë të kotë”, është nuk do të lëvizim asnjë milimetër”.
“Bashkëpunim” përmend edhe Kurti, por këtë e shoqëron me diskualifikimin e kërkesave të sindikatave, të cilat i quan “kërkesa absurde” dhe “dëshira irracionale”.
Kurti dhe Jasharaj janë kryeprotagonistët e këtij konflikti, por me njëri-tjetrin s’takohen prej kohësh. Kurti sot ka bërë të dituar se ai është takuar me kryetarin e Bashkësisë së Sindikatave të Pavarurar të Kosovës, por jo me kryetarin e sindikatës së Arsimit.
“Ministrja tri herë e ka takuar kryetarin e Sindikatës, janë një dyzinë takimesh që zëvendësit i kanë bërë. Unë e kam takuar disa herë kryetarin e BSPK-së, por kërkesat legjitime e racionale janë për dialog. Kërkesat absurde që janë dëshira irracionale s’mund të hasin mirëkuptim tonë. Më vjen keq për këtë”, ka thënë sot Kurti.
Në mars të këtij viti, Jasharaj pati thënë se kanë kërkuar takime me Kryeministrin, por ai nuk i ka takuar.
“Ne kemi kërkuar takime me Kryeministrin Kurti, por nuk ka ndodhur një takim me të, por kemi komunikuar me të nga larg e përmes medieve të nderuara. Deklarimeve të pa bazuara e të paargumentuara për ne dhe sindikatat tjera u jemi përgjigjur me kohë dhe me fakte e argumente”, tha Jasharaj.
Më vonë u bë virale edhe deklarata e Jasharajt në një emision argëtues, ku kishte thënë se “Kurtit e iu kam bërë tullusum, edhe më është bërë”.
Në vazhdën e përplasjeve për grevën tash, kryetari i SBASHK-ut ka njoftuar sot se kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurori kundër ministrit të Financave, për shkak të vendimit për ndaljen e rrogave të punonjësve që kanë hyrë në grevë.
“Grevat kanë me u kry dikur, por dikush ka me u turpëru. E, ai që ka me u turpëru ma së shumti, do të jetë Hekuran Murati, që po bën goditje të ulëta, po do me na tutë”, tha Jasharaj në një konferencë për media.
Më 31 gusht, Murati bëri të ditur se kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.
Greva, e shpallur nga BSPK-ja, ka nisur më 25 shtator. Një prej kërkesave është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Projektligji për Pagat pritet që pas një jave të jetë në diskutim publik. Më pas të votohet në Qeveri dhe Kuvend, e të hyjë në fuqi 8 muaj pas votimit.