Anëtari serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, krijoi një precedent në politikë, kur u përpoq të ndërhynte në Kombet e Bashkuara përmes një vendi tjetër – misionit rus, raporton portali i Sarajevës Kliks.
Portali ka njoftuar se këtë e konfirmoi nga një letër e ambasadorit rus në OKB, Vasily Nebenzya, i cili ia përcolli letrën e Dodikut sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, më 28 shkurt, ku thuhej se “Bosnja dhe Hercegovina është neutrale në konfliktin në Ukrainë” dhe se qëndrimi që e shpalosi ambasadori i Bosnjës në OKB nuk është qëndrim zyrtar i vendit.
“Lidhur me situatën në Ukrainë, theksoj se ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në OKB, Sven Alkalaj, ka mbajtur një qëndrim personal, të njëanshme dhe të paautorizuar në deklaratën se Bosnja do të jetë sponsor i rezolutës amerikano-shqiptare që dënon veprimet e Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në letrën e Dodikut.
Dodik theksoi se “për shkak të qëndrimit të vendosur të Republikës Srpska, institucioneve përkatëse të Bosnje e Hercegovinës që janë përgjegjëse për politikën e jashtme, nuk ka pasë asnjë qëndrim unanim për ngjarjet në Ukrainën lindore në drejtim të dënimit të Rusisë”.
“Duke mbështetur plotësisht të gjitha marrëveshjet në lidhje me ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe armiqësive midis Ukrainës dhe Rusisë, Bosnja dhe Hercegovina, e cila vuajti në të gjitha luftërat gjatë shekullit të 20-të dhe veçanërisht gjatë shekullit të fundit, nuk duhet të zgjedhë një anë”, ka thënë Dodik.