Kandidatët për kryetar të Komunës së Prishtinë do të përballen në balotazh më 14 nëntor. Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, janë ballafaquar në dy debate televizive, para ditës së zgjedhjeve. Derisa Rama e ka falëndëruar veçmas Vitinë për përballje.n, kandidati i VV-së nuk është që e ka përmendur Ramën
Kandidati i LDK-së para debatit të së mërkurës, kishte paralajmëruar miqtë e tij në Facebook se do të jetë përballë kundërkandidatit të tij, Arben Vitisë.
“Përshëndetje Prishtina, sonte, nga ora 20:45, në emisionin “Rubikon me Adriatik Kelmendin”, në Klan Kosova, do të jem përballë kundër-kandidatit Arben Vitia. Ju ftoj ta ndiqni!”, kishte shkruar Rama.
Edhe Arben Vitia e paralajmëroi debatin e së mërkurës, por, ai nuk ia përmendi emrin fare kundërkandidatit të tij.
“Të dashur qytetarë të Prishtinës dhe të gjithë ju që jeni të interesuar për programin dhe vizionin tim për Prishtinën. Sonte jam i ftuar bashkë me kandidatin e LDK-së tek Rubikon me Adriatik Kelmendin. Ju ftoj të më ndiqni. Gjithashtu ndihuni të lirë të më shkruani më pas për përshtypjet tuaja”, shkroi Vitia.
Pas këtij debati, kandidati i LDK-së u lajmërua përsëri në Facebook.
Përveç qytetarëve të cilët i falënderoi që e ndoqën në debat, Rama falënderoi veçanërisht Arben Vitinë që e kishte përballë.
“Sonte ishte një mbrëmje e veçantë për mua, meqë pata rastin ta shpalos punën time shumëvjeçare dhe angazhimin tim pa kushte, në debat përballë kundërkandidatit për ta udhëhequr Kryeqytetin. Duke iu falënderuar njerëzve të qytetit tim që na përcollën, atyre pafund që po ma shprehin dashamirësinë me mesazhe sonte, e në veçanti Arbenit që e pata përballë, uroj që qytetarët ta bëjnë zgjedhjen më të mirë për Prishtinën tonë”, ka shkruar Rama.
Edhe Vitia shkroi në Facebook pas debatit. Ai falënderoi qytetarët që e ndoqën e i dërguan mesazhe, siç tha ai, inkurajuese.
“Qytetarë të dashur, ju falenderoj me përzemërsi për mesazhet e komentet e shumta përkrahëse e inkurajuese në lidhje me debatin e sontëm. Do të vazhdoj t’i lexoj me kujdes edhe të tjerat që po vijnë e do t’i kem parasysh të gjitha. Jemi bashkë në këtë projekt për Prishtinën”, shkroi Arben Vitia.
Dy kandidatët për Prishtinën u përballën përsëri në një debat, mbrëmjen e së enjtes.
Edhe këtë herë, të dy kandidatët e paralajmëruan pjesëmarrjen në debat dhe ftuan qytetarët t’i ndjekin në shpalosjen e programeve për kryeqytetin.
Rama i LDK-së në paralajmërimin e debatit tregoi se do të përballet me kundërkandidatin Arben Vitia.
“Përshëndetje Prishtina, sonte, ju ftoj ta ndiqni LIVE nga ora 20:00, përballjen për Prishtinën me kundërkandidatin Arben Vitia në #DebatPernime, të Kallxo.com dhe në RTV Dukagjini”, lajmëroi Rama në Facebook.
Edhe Vitia i VV’së njoftoi për debatin. Njëjtë si herën e parë, ai vetëm tregoi se do të jetë përballë kandidatit të LDK-së.
“Sonte në “Debat Përnime”, do të flas për Prishtinën e jetueshme në RTV Dukagjini, në përballje me kandidatin e LDK-së. Ju ftoj të më ndiqni!”, lajmëroi Vitia në Facebook.
Pas debatit, Rama përsëri i falënderoi qytetarët që i dërguan mesazhe dashamirëse, e në veçanti falënderoi Arben Vitinë, që e pati përballë.
“Sonte, sikurse edhe mbrëmë, ishte kënaqësi, meqë pata rastin ta shpalos programin dhe projektet, në debat përballë kundërkandidatit tim, për ta udhëhequr Prishtinën. Dua të ju falënderoj të gjithëve pafund që po ma shprehni dashamirësinë me mesazhe, e në veçanti Arbenit që e pata përballë, uroj që qytetarët ta bëjnë zgjedhjen më të mirë për Prishtinën tonë. Dashni për Prishtinën!”, shkroi Rama.
Edhe Arben Vitia reagoi pas debatit të mbrëmshëm. Ai falënderoi qytetarët për vëmendjen e kurajon, por jo edhe kundërkandidatin e tij, siç bëri Rama.
“E dashura Prishtinë, faleminderit për vëmendjen, faleminderit për kurajon, faleminderit për durimin. Qindra mijëra herë faleminderit për mbështetjen. Këto dy netë sqaruam shumëçka. Prishtina tashmë e ka më të lehtë zgjedhjen!”, shkroi Vitia në Facebook.
Ndryshe, Përparim Rama dhe Arben Vitia do të përballen në balotazh të dielën, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale