Flamurit francez i është bërë një ndryshim prej një viti. Megjithatë, pak është vënë re. Flamuri ka ende tre ngjyrat blu-e bardhë-e kuqe, por bluja ka ndryshuar tonalitet. Ajo është zëvendësuar me një blu më të errët.
Vendimi për këtë ndryshim është marrë nga presidenti Emmanuel Macron në korrik të vitit 2020 dhe ka provokuar debate në Elize.
Sipas Europe 1, Macron ka kërkuar rikthimin e blusë së errët në flamur, e përdorur gjatë Republikës së Parë, në vitin 1793, ndërsa mediat vendase theksojnë influencën e admiralit Bernard Rogel, duke marrë parasysh faktin se Marina Franceze e përdor në anijet e saj këtë tonalitet të blusë.
Një nga arsyet e dhëna për këtë ndryshim është ajo estetike. Sidoqoftë, janë shumë ata që ngulin këmbë se ndryshimi nuk duhet interpretuar si një gjest kundër BE-së.
Kjo pasi bluja në të kaltër ishte ndryshuar në një blu më të çelur nën presidencën e Valéry Giscard d’Estaing, i cili donte ta afronte atë në ngjyrën blu të flamurit të Bashkimit Evropian.
Sipas Europe 1, rreth këtij ndryshimi nuk është bërë asnjë komunikim për të mos lënë të kuptohet se Presidenti donte të ndryshonte rrënjësisht simbolet e Republikës.