Ekzekutori i maskuar si motorist, hyri në ambientet e lokalit në pronësi të Nikulaj dhe qëlloi disa herë ne drejtim tij, duke e lënë të vdekur në vend. Bëhet me dije se në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja. Autori rezulton të ketë përdorur një armë zjarri pistoletë tip TT.
Gazetarja e Euronews Sara Demushi ka zbuluar dhe komunikimin e vetëm mes autorit dhe viktimës. Gazetarja bën me dije se pasi ka hyrë në lokal, autori i maskuar si postier, i ka thënë vetëm “si je Ardian” dhe më pas ka qëlluar ndaj tij.
“I vetmi komunikim mes autorit dhe viktimës, bëhet me dije se pasi autori ka hyrë në lokal i ka thirrur “si je Ardian”. Ky ka qenë komunikimi i vetëm dhe më pas ka qëlluar në drejtim të tij”, tah Demushi.
Pas kryerjes se krimit mendohet se autori eshte ndihmuar nga një tjetër person i cili e ka larguar me ‘Range Roverin’ me targa angleze. Ardian Nikulaj që njihej dhe si Ardian Marku lëvizte me makinë të blinduar për shkak të hasmërisë së vjetër dhe konflikteve në biznes. Ai dispononte disa biznese, përfshirë bar-restorant “Coral”-in ku e ekzekutuan. Nikulaj në 2021 ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Social-Demokrate të Tom Doshit. Prej 2019-ës ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe rikandidonte sërish për në këshill në zgjedhjet e 14 Majit. Prokuroria po heton të paktën në dy pista; Hasmëria me fisin Palaj pasi në vitin 1999, Ardian Nikulajt i kanë vrarë vëllanë dhe disa vite më pas nga Palajt janë vrarë dy anëtarë të familjes.
Policia ka kryer kontrolle në 3 banesat e familjes Palaj në Lezhë, por askush nuk është gjetur pasi siç behet e ditur nga fqinjet anëtarët e kësaj familje ndodhen jashtë vendit prej disa vitesh. Por nuk përjashtohen as pistat e konflikteve në biznes, apo për shkak të angazhimit të tij në politik.