Ende nuk dihet se si do të veprohet me qindra armë si dhe me automjetet e pajisjet e tjera të konfiskuara gjatë aksionit të Policisë së Kosovës kundër grupit terrorist në Banjskë. Policia e Kosovës i tha RTV21 se për armatimin dhe mjetet e sekuestruara do të vendoset pas përfundimit të procedurave ligjore. Njohës të sigurisë ndërkaq shprehën mendime të ndryshme nëse armatimi dhe mjetet e sekuestruara duhet të asgjësohen apo të përdoren nga institucionet përkatëse të Kosovës.
Mbi 5 milionë euro është vlera e armatimit të konfiskuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës kundër grupit terrorist në veri të vendit. E për armatimin dhe mjetet e sekuestruara ende nuk dihet se si do të veprohet.
Policia e Kosovës njoftoi se për armatimin dhe mjetet e konfiskuara do të vendoset pas procedurave ligjore.
“Veprimet që ndërmirren në raste të konfiskimeve janë të parapara me procedura ligjore dhe janë vendime nga organet e drejtësisë të cilat lëshohen pas përfundimit të të gjitha procedurave të parapara në raste të tilla”.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë se armët e reja të konfiskuara do të mund të përdoreshin nga institucionet e Kosovës teksa autoblindat do të duhej të shkatërroheshin.
“Të gjitha ato armë që janë përdorur janë konfiskuar dhe konstatohet që janë përdorur kundër policisë ato do t’i kryerjen ekzaminimin ndërsa për armët e reja besoj që gjykata të vendos që ato t’i përdorin institucionet e Kosovës. Armët e reja është dëm i madh po të shkatërroheshin ato do t’i nevojiteshin FSK-së. Autoblindat duhet të shkatërrohen ato nuk janë automjete që mund t’i përdor ndonjë institucion apo të ruhen dikund në ndonjë objekt të policisë dhe të përdoren me pas si muze si pjesë e dëshmive….Ndërsa sa i përket automjeteve që janë funksionale prapë me vendim të gjykatës mund t i kthehen dhe t’i shfrytëzojnë institucionet e Kosovës”, tha Qalaj.
Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, ndërkaq vlerëson se armatimi i konfiskuar gjatë aksionit kundër grupit terrorist nuk i përket standardeve të NATO-s dhe si i tillë duhet të asgjësohet teksa makineritë mund edhe të përdoren.
”Tash janë lëndë të veprës penale, pra të aktit terrorist dhe kjo do të kalojë në procedura gjyqësore të përfundojë mandej është një procedurë tjetër lidhur me konfiskimin e mjeteve që janë prova të vepres penale. Për armatim është çështje që do të vendoset ngase ato nuk janë standard i NATOS dhe sipas të gjitha gjasave ato do të asgjësohen. Janë standard me tepër i vendeve të lindjes gjegjësisht që nuk përfillen që mund të pajisjen dikush nga institucionet …por sipas procedurave gjyqësore që do të sgjasin ato janë prova dhe mandej do të vendoset por unë mendoj që nuk janë standard i NATOS as standardit as tipi”, deklaroi Ibishi.
Ndërsa njohësi i tjetër i sigurisë, Fatmir Çollaku, vë në dukej se bëhet fjalë për arsenal të madh të armëve. Flet shkurt se si duhet vepruar me armatimin e konfiskuar.
“Armët mundet të asgjësohen, të përfundojnë diku por nuk kam përgjigje se ku do të përfundojnë tani. Tashmë kemi prova të mjaftueshme që e ndërtojnë mozaikun që bëhet fjalë për arsenal të madh të armëve që do t’i përdornin një numër prej100-150 pjesëtarëve që do të barrikadoheshin në lumin Ibër dhe të përcaktonin kufirin e ardhshëm të një autonomie të veriut ku ata më pas do të negocioni për një kompromis eventual në kuptim të zgjidhjes afatgjate duke …ky ishe qëllimi finale dhe dikun me këtë armatim ata 100-150 pjesëtarë do të rezistonin seriozisht policisë së Kosovës që të pengohet e depertonin në pjesën veriore dhe kësisoji të shpallin referndum autonomi Lista Serbe..ky ishte qëllimi final” tha Çollaku.
Gjatë aksionit të policisë së Kosovës kundër grupit terrorist në Banjskë të Zvecanit, u konfiskuan granata, zolla, mitralozë, kallashnikovë, automjete, autoblinda, dronë, municion, radiolidhje, uniforma ushtarake e të tjera.