Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) i kanë shprehur ngushëllime familjes, kolegëve dhe stafit për vdekjen e ish-drejtorit të Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajraullahu.
Hajrullahu ka vdekur mbrëmjen e së martës.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me rastin e vdekjes së ish-drejtorit të Spitalit të përgjithshëm në Gjilan, dr. Nisret Hajrullahu, i shpreh ngushëllime familjes, kolegëve dhe stafit të spitalit. Humbëm një mjek, njeri të zellshëm e punëtor, që kontribuoi për zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore në Spitalin e Gjilanit. Kujtimi për punën dhe veprimtarinë e tij do të mbetet çdoherë në mendjet tona!”, shkruhet në postimin e ShSKUK-së.
Për vdekjen e tij ka njoftuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të spitalit të Gjilanit, Ukshin Ismaili, e cili e ka quajtur lajm të trishtë vdekjen e Hajrullahut. Ai mes tjerash shkroi edhe për puën ne palodhshme të të ndjerit.
“Lajm i trisht ndërroi jetë ish Drejtori i Spitalit të Gjilanit, kolegu dhe profesionisti shembullor Pulmologu Dr Nisret Hajrullahu. Ishe një koleg, shok dhe menaxher i shkëlqyeshëm në rrugëtimin e gjatë të një humanisti të devotshëm në çdo kohë e në veçanti në këtë kohë të pandemisë, që së bashku provuam ta bëjmë më të mirën e mundshme për menaxhimin në rrethanat shumë të rënduara të pandemisë COVID 19. Prehu ne paqe koleg i nderuar Dr Nisreti”, ka shkruar Ismaili në “facebook”.
Për vdekjen e tashmë të ndjerit Hajrullahu ka shkruar edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e vdekjes së doktor Nisret Hajrullahut. Duke i shërbyer profesionit të tij të shenjtë deri në momentet e fundit të jetës së tij, dr. Nisreti do të mbetet ikonë i një profesionisti të përkushtuar, të dashur e vlerësuar nga kolegët dhe pacientët e tij të cilëve u shërbeu me dinjitet e shumë përkushtim. Me doktor Nisretin, kishim bashkëpunim të ngushtë, sidomos në kohën sa ai ishte drejtor i Spitalit të Gjilanit. Do ta kujtojë përgjithmonë me krenarinë më të madhe për vullnetin e gatishmërinë e plotë për të qenë përkrahë situatave të përbashkëta kur bëhej fjalë për shëndetin e qytetarëve dhe kontributin e madh dhënë menaxhimit të shkëlqyeshëm të Spitalit të Gjilanit. Në këtë kohë pikëllimi, lutjet janë për të dhe familjen e tij. Dr. Nisret, pusho në paqe. Do të kujtojmë përgjithmonë ballëlartë, me krenarinë më të madhe! Do të lësh zbrazëtirë të madhe në miqësinë tonë! Pusho i qetë, mik i dashur! ”, ka shkruar nënkryetari Ismajli.