Për më shumë se tri orë zgjati takimi në mes të anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi me drejtuesit e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Pas këtij takimi që ishte i mbyllur për medie, u tha se kanë diskutuar për mbështetjen buxhetore për SHSKUK dhe situatën pandemike në vend.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku tha se në takim u diskutua për gjendjen me epideminë dhe mbështetjen e stafit shëndetësor.
Ajo ka thënë se kanë ofruar mbështetjen në aspektin e financimit, për të cilin thotë se do të japin kontribut në rishikimin e buxhetit për vitin tjetër.
Kollçaku ka thënë se do të kujdesen për rritje të shtesave për stafin mjekësor deri në draftimin e Ligjit për Paga.
“Ajo çfarë mund të them është shumë inkurajuese kemi numër përgjysmë brenda dy jave të fundit të pacientëve të hospitalizuar edhe në QKUK, në spitale regjionale, pra kemi një numër të madh rënie drastike përgjysmë të rasteve që na gëzon. Ky është treguesi më i mirë se situata epidemiologjike është më e mirë, por ne nuk do të ndalemi me masat parandaluese, dhe krahas vaksinimit që po ndodh, ai do të vazhdojë derisa të arrihet synimi i vaksinimit popullatës…Ne do të angazhohemi për rritje të shtesave. Angazhimi kryesor do të jetë i orientuar drejt një ligji të ri për paga ku atëherë në mënyrë të duhur dhe meritore do të zgjidhet çështja e pagave për gjithë punëtorët shëndetësorë pa dallim si dhe stafi mbështetës… Kërkesat kryesore (nga SHSKUK) janë kjo mbështetja buxhetore që unë besoj që nuk do të mungojë sidomos për barna edhe pse ne sa i përket spitaleve e kuptuam që deri 84% ka mbulese”, tha Kollçaku.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka kërkuar mbështetje më të madhe buxhetore në aspektin e reformimit sidomos për legjislacionin që rregullon sistemin shndetësor.
Lidhur me gjendjen epidemiologjike, Krasniqi tha se aktualisht gjendja është më e relaksuar dhe aktualisht në SHSKUK janë të hospitalizuar 320 pacientë.
“Ne shprehim kërkesat tona në lidhje me mbarëvajtjen e punës në nivel të SHKUK-së përfshirë një përkrahje më të madhe buxhetore dhe një përkrahje në aspektin e riformimit sidomos të legjislacionit që rregullon sistemin shëndetësor në nivel të vendit. Në nivel të vendit kemi 426 pacientë të hospitalizuar, prej tyre 179 janë në QKUK dhe të tjerët janë spitalet e përgjithshme. Nga këta të hospitalizuar 320 janë në oksigjeno-terapi të vazhdueshme ndërkohë që 36 pacientë janë në gjendje të rëndë që janë duke u trajtuar nëpër reparte të kujdesit intensiv. Kemi një situatë shumë më të qetë dhe relaksuar sa i përket numrit të pacientëve dhe kjo situata po na mundëson neve që të marrim përsëri hapa tjerë të riorganizimit për ndonjë numër eventualisht që mund të paraqitet në të ardhmen. Javën e kaluar kemi liruar klinikat e bllokut interenistik, dhe pacientët në QKUK jemi duke i trajtuar tani në Klinikën Infektive, Pomologjisë dhe një numër më të vogël në Klinikën Sportive si dhe mjekimi intensiv qendror ata që janë në gjendje më të rëndë. Ne si SHKUK duhet ta shohim në zbatimin Ligjin e pagave dhe vetëm Ligji i Pagave do ta zgjidhte njëherë e mirë çështjen e pagesës së punëtorëve shëndetësorë ndërkohë që ne kërkojmë që në bazë të mundësive buxhetore të jenë sa më të larta për punëtorët shëndetësorë që janë të angazhuar”, tha Krasniqi.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga PDK, Bekim Haxhiu tha se në këtë takim kanë diskutuar për listën e pritjes që është shkaktuar si pasojë e pandemisë COVID-19.
“Situata është e rëndë në aspektin e mungesës së vaksinave. Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka kontratë për furnizim me vaksina. Ajo çka po ndodh me furnizim me vaksina është në bazë të donacione. Kërkesa jonë është edhe për mungesë të barnave, e cila është një kosto e madhe buxhetore për shumë pacientë dhe familje. Mungesat në listën esenciale në pandemi e ka rënduar situatën edhe më shumë, pastaj ka mungesa në disa prej shërbimeve për shkak të pandemisë dhe disa prej riorganizimeve me një kohë ka pasur vendim për mbyllje të ambulancave specialistike dhe kjo ka bërë të rritet lista e pritje”, tha Haxhiu.