Shqipëria ka gabuar në “Air Albania”, duke humbur 0-1 nga Polonia. Sfida ishte e tensionuar, dhe madje për së paku 10 minuta u ndërpre, pasi tifozët i gjuajtën me gjësende futbollistët e Polonisë. Shqipëria tani ka humbur vendin e dytë dhe ëndrra për të shkuar në Botëror, nuk është më në dorën e Kuqezinjve.
Shqipëria e Edi Rejës është mundur me rezultatin minimal në “Air Albania” në ndeshjen më të rëndësishme në histori të Kuqezinjve.
Kombëtarja shqiptare humbi pozitën e dytë në renditje në kualifikimet për Kupën e Botës, dhe kësisoj, ëndrra për të shkuar në Botëror tani nuk është në dorën e Kuqezinjve.
Shqipëria u mbajt mirë në 45 minutat e pjesës së parë, po ashtu edhe në pjesën e dytë, por befasisht, në minutën e 76-të, kur në zonë kishte më shumë lojtarë të Kombëtares dhe pak kundërshtar, topi megjithatë shkoi në këmbët e 24-vjeçarit, Karol Swiderski, që e dërgoi atë në rrjetë për 1-0.
Menjëherë në këtë moment, teksa futbollistët po festonin, tifozët shqiptarë nisën t’i gjuanin ata me shishe e gjësende.
Futbollistët e Polonisë menjëherë u nisën për në dhomat e zhveshjes ku qëndruan mbi 10 minuta por pas diskutimeve të shumta, vendosën të dalin në fushë, dhe u vendos që të mos ketë më veprime të tilla pasi një incident tjetër i vogël, do ta ndërpriste përfundimisht takimin.
Sido që të jetë, futbollistët ishin ftohur paksa, por Kuqezinjtë tentuan deri në minutën e fundit, por pa ndonjë rezultat, duke humbur kështu 0-1 në shtëpi ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, pasi edhe barazimit do të ishte si një fitore për Kombëtaren.
Kështu, Shqipëria tani ka zbritur në pozitën e tretë në renditjen e Grupit I, me 15 pikë, derisa Polonia pushton pozitën e dytë me 17 pikë.
Tani ëndrra për të shkuar në Botëror nuk është më në dorën e Kombëtares shqiptare.