Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaShpronësimi i tokave në Veri, QUINT, BE dhe OSBE i reagojnë Qeverisë:...

Shpronësimi i tokave në Veri, QUINT, BE dhe OSBE i reagojnë Qeverisë: Na vjen keq që vendimi u mor pa përfunduar procedurat gjyqësore

Vendet e Quint-it, BE dhe OSBE kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për vendimin e Qeverisë së Kosovës të marrë më 30 maj rreth shpronësimit të mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Kosovë, thonë se “shprehin keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës për 30 maj për të finalizuar shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”.

Në deklaratë thuhet se disa nga misionet e këtyre vendeve kishin ndarë më herët me Qeverinë e Kosovës vlerësimet e ekspertëve juridikë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, duke treguar se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit.

“Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”.

“Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim. Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe palëve të interesit të respektohen plotësisht”.

Gjithashtu, këto shtete thanë se i kanë ndarë shqetësimet e tyre me Qeverinë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe thanë se kanë inkurajuar Qeverinë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë.

“Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive të gjalla dhe demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments