Lidhur më shpërthimin e mbrëmshëm në Veri janë identifikuar dy persona me interes për intervistim.
Këtë e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani.
“Njësitet policore relevante si dhe prokurori i rastit ishin në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin. Njësiti i hetimeve rajonale i Mitrovicës së Veriut ka vazhduar punën sot me intensitet të shtuar dhe tashmë ka identifikuar dy persona të cilët janë persona me interes për intervistim. Të njëjtët janë kërkuar edhe në shtëpitë e tyre, por nuk janë gjetur. Besohet se ky konflikt ishte pasojë e problemeve të mëhershme mes këtyre personave. Jemi duke hetuar tashmë disa pista”, ka thënë Elshani.
Sot përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore, ku si pasojë dy persona kanë pësuar lëndime.
“Mitrovicë Veri 15.01.2024, 23:45. Është raportuar se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore dhe si pasojë kanë pësuar lëndime dy viktimat meshkuj kosovarë, ku të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Rasti ne procedure hetimore”, thuhet në raport.
Për rastin është deklaruar mbrëmë edhe Zëvendës Drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Sipas tij, si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe disa vetura.
“Rreth orës 23:50 dyshohet se ka shpërthyer një granatë dore tek Hoteli Bisevac, rruga Knjaz Millosh në Mitrovicë Veri, ku si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar rreth 4-5 vetura dhe dy persona janë lënduar. Njëri ka lëndime më të rënda dhe policia është në spital”, ka deklaruar Elshani.