Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka para pak ditësh ka publikuar në rrjetin social “Facebook” disa fotografi të trotuareve në Prizren të cilat së fundmi i ka shtruar më kubëza.
Këto fotografi të publikuara ai i ka ndarë në dy pjesë, “Para” dhe “Pas” e që në rrjetet sociale kanë filluar talljet me kreun e Prizrenit.
Faqja e njohur në rrjetin social “Instagram”, “Coolnfresh Magazine” ka publikuar njërën nga fotografitë e Haskukës, dhe në mbishkrim ka shënuar “Beb kam ndryshuar”, duke iu referuar pjesës së shtruar me kubëza.
Ndërsa, faqja tjetër “Breaking Bad Kosovo”, ka publikuar një fotografi të qytetit të Prizrenit dhe ka shënuar “Para” ndërsa në pjesën e poshtme ka postuar një fotografi të qytetit të Dubait duke e shënuar pas.
Po ashtu edhe zyrtari i PSD’së, Nol Nushi është tallur me Haskukën duke e publikuar një fotografi të bërë para pasqyrës me mbishkrimin “Para” – “Pas”.
Halil Halili, përdorues i rrjetit social “Facebook”, përmes një postimi ka krahasuar ndryshimet e bëra në Dubai nga viti 1991 deri në vitin 2016 dhe ndryshimet në qytetin e Prizrenit të publikuara nga Haskuka, teksa në mbishkrim ka shënuar, “Në pyetjen se në cilin rast vëreni më shumë dallime, 51% e qytetarëve janë deklaruar për fotografitë nga Prizreni”.
Haskuka do të garoj në zgjedhjet e tetorit edhe për një mandat.