Ish-anëtari i Ekipit Negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti, ka postuar tri video nga viti 2019, të cilat ai i tregon si prova që ka qenë kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Këto akuza vijnë pasi politikania boshnjake, Sabina Çudiq, ka postuar në rrjete sociale se Kosovës e Serbia kishin mirëkuptim për këtë ide dhe madje kishin përkrahje nga zyrtarë amerikanë, ku përmendet emri i Matthew Palmer.
Të mërkurën, politikania boshnjake, Sabina Çudiq, në një shkrim në rrjete sociale, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur pajtim e madje edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje për shkëmbim territoresh. Duke u munduar të japë kundërshtimet e saj për një plan të Matthew Palmerit për Bosnjën, Çudiq ka thënë se ish-i dërguari për Ballkanin Perëndimor ka qenë pro shkëmbimit të territoreve si zgjidhje të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Madje ka thënë se ai mund të jetë edhe autor i planit. Ajo nxori detaje nga një takim dhe përplasja me Palmerin, për çështjen e shkëmbimit të territoreve, teksa tha se gjithçka ndodhi pas një paneli ku ishte me Ahmetin.
Për të kundërshtuar akuzat ai ka publikuar tri video nga deklarimi i tij atë kohë. Ai aty dëgjohet teksa thotë se është kundër shkëmbimit të territoreve.
“Qëndrimi im për shkëmbimin e territoreve si publik ashtu edhe privat – dihet. Këtë qëndrim e kam shprehur gjithkund. Me insistimin tonë (Visarit e Dugagjinit) dhe me aprovimin e gjithë anëtarëve të delegacionit e kemi pas në platformë e që pastaj është votu nga Kuvendi se kufijtë janë të padiskutueshëm. Një kolege nga Bosnja me të cilën kemi qenë në panel ne Ëashington e ka përmend një diskutim joformal me Palmer ne një ‘cocktail’. Unë nuk kam qenë në atë diskutim. Meqenëse në postim e ka përmend që ka qenë në panel me mu më herët, disa njerëz kanë lidh paralele me mu. Mund ta pyetni edhe Sabinën (mediat) por më e mira është që ky panel para thinktank-ave të dhe opinion-bërësve në DC ka qenë publik dhe është online”, ka thënë ai.
Çudiq në shkrimin e saj ka përmendur edhe ish-ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, për të cilën ka thënë se i ka dalë në mbrojtje Palmerit “se përse po ndërhyja në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë?”