KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në 20 komuna që garuan në raundin e dytë.
Në rezultatet përfundimtare nuk u përfshi komuna e Dragashit, aty ku PZAP anuloi dje votat nga diaspora.
Partitë politike mund të paraqesin ankesa brenda 24 orëve në PZAP sa i përket shpalljes së rezultateve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se Dragashi s’është përfshirë pasi për rezultatin e kësaj komune ka ankesë në Supreme.
“KQZ mund t’i shpall rezultatet për 20 komuna përjashtuar Dragashin, dje të premten PZAP ka marrë vendim për apelin e paraqitur që i takon komunës së Dragashit dhe ka lejuar ankesën në Gjykatën Supreme”, Radoniqi.
Kësisoj, PDK ka fituar në tetë komuna: Mitrovicë, Prizren, Drenas, Kaçanik, Vushtrri, Mitrovicë, Skenderaj, Han i Elezit dhe Ferizaj.
LDK ka fituar shtatë komuna: Prishtinën, Fushë Kosovën, Istogun, Vitinë, Junikun, Pejën e Lipjanin.
AAK në pesë komuna: Suharekë, Deçan, Gjakovë, Klinë e Rahovec.
VV ka fituar në katër komuna: Shtime, Gjilan, Podujevë dhe Kamenicë.
Ndërsa Nisma ka fituar Malishevën.
Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi për Dragashin, pasi që nëse Supremja merr vendim që lë në fuqi vendimin e PZAP-it, kjo komunë do t’i takojë PDK-së.