Pas vetëm dhjetë minutash lojë, argjentinasit kaluan në epërsi me anë të Lionel Messit që realizoi nga penalltia.

Më pas, Argjentina kishte tri gola të anuluar nga VAR-i për pozicion jashtë loje, duke e rënduar gjendjen e tyre psikologjike.

 

Në anën tjetër, Arabia Saudite ishte fantastike në grackat e tyre të pozitës jashtë loje, duke i realizuar me përpikëri dhe realizuan shtatë të tillë vetëm në pjesën e parë.

Pjesa e dytë nisin në mënyrë shokuese për Argjentinën, që pësoi dy gola të shpejtë.

Ishte minuta e 48-të e takimit, kur Saleh Al Shehri i barazoi shifrat në 1-1, për t’u dhënë shpresë bashkëlojtarëve.

Për t’i lumturuar edhe më shumë ata, u përkujdes Salem Al Dawsari që realizoi për 2-1 në minutën e 53-të.

Argjentinasit u munduan deri në fund që të merrnin së paku një pikë nga ky takim, por dolën të mposhtur nga ndeshja e tyre e parë.

Arabia Saudite është lidere e Grupit C me këtë triumf me tri pikë, Polonia e Meksika do të përballen pasdite, ndërsa Argjentina do të synojë pikë nga takimet e tjera.