Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka sulmuar në mënyrë të hapur mediat në Kosovë, veçanërisht mediat të cilat funksionojnë online.
Dalipi shkoi edhe më larg duke i quajtur mediat “kompani të kriminalizuara”.
Raportimi i hapur i mediave siç duket i ka penguar zyrtarit të Qeverisë Kurti II, teksa tha se mediat po thurin gënjeshtra për të shantazhuar dhe manipuluar qeverinë e publikun, “apo thjeshtë për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së lajmeve të tyre”.
Por Luan Dalipi është një nga njerëzit shumë të pasur në kuadër të njerëzve të afërt të Kurtit.
Shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, pati deklaruar së fundi në kuadër të Agjencisë Kundër Korrupsionit pasuri të majme.
Në kuadër të pasurisë së paluajtshme, Dalipi pati deklaruar një shtëpi në vlerë 650 mijë euro, që thuhet të jetë e siguruar me të hyra vetanake+familjare, shkruan lajmi.net.
Tutje ai deklaroi një banesë 107.420 mijë euro , që thuhet të jetë trashëgimi familjare. Dalipi deklaroi edhe një podrum në vlerë 6 mijë euro, si trashëgimi familjare dhe një garazh në vlerë 3 mijë e 200 euro, poashtu e deklaruar si trashëgimi familjare.
Luan Dalipi shkoi edhe më tutje në kuadër të deklarimit të pasurisë së tij, ku vetëm vlera e një veture arrin në 50 mijë euro.
Vetura “Mercedes E 220” e blerë me të hyra vetaranke kushtoi hiç më pak se saktësisht 50 mijë euro. Por Dalipi nuk u mjaftua me një veturë të këtij lloji pasi në vitin 2019 ai bleu edhe një veturë të llojit “Renaul Captur”, në vlerë 11 mijë euro gjithsej.
Sa i përket parave të gatshme të mbajtura në institucione financiare, Luan Dalipi, nuk ka asnjë kredi bankare. Ai ka deklaruar se në njërën nga bankat ka 10 mijë e 675 euro, ndërsa në llogari të bashkëshortes ka 18 mijë e 915 euro. Por Dalipi ka edhe një xhirollogari bankare të fëmijëve ku ka mbledhur hiç më pak se 384 euro.
Në të hyrat vjetore, Luan Dalipi ka të deklaruar dy lloje të të hyrave, të hyrat vjetore si konsulent në shumë prej 27 mijë eurove dhe të hyrat vjetore si shef i stafit të kryeministrit në të hyra vjetore prej 4 mijë e 410 euro.
E lidhur me deklarimet e djeshme në drejtim të mediave nga Luan Dalipi ka reaguar edhe Agjencioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK ka dënuar gjuhën e përdorur nga Dalipi. E përpos Dalipit ngjashëm ndaj mediave pati një deklarime dhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
Në qeveri apo jo, sulmet e VV-së ndaj mediave kanë qenë të vazhdueshme.